Kosova

Kosove: 30% e listës zgjedhore përfaqësohet nga gratë


Gresa Sermagjaj, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në një intervistë në televizionin Zëri i Amerikës, ka treguar se 30% e listës së partive politike në Kosove, janë gra. Kjo pavarësisht ligjit për barazi gjinore që parashikon pjesëmarrje të grave në 50% të listës.

“Vërejmë që në fakt grave u është mohuar e drejta e barabartë e kandidimit pasi që shumica prej partive kanë një numër mesatar diku rreth 33 gra në listë, nga gjithsej 110 kandidatë”, shprehet ajo.

Sipas saj, për të zbatuar këtë ligj dhe për të garantuar të drejtën e barabartë, do të duhej një minimum prej 55 grash kandidate në lista.

Agnesa Haxhiu, nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare, Demokracia në Veprim, ka shprehur se ka pasur një rritje të lehtë të përqindjes së numrit të grave në lista. Kjo për shkak se Lëvizja Vetëvendosja (LVV) ka shtuar numrin e grave kandidate, duke e rritur në 37% përfaqësimin e tyre.

“Vetëm rreth 33.5% e listave zgjedhore të partive politike janë gra. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, përkatësisht ato të tetorit të vitit 2019, ka pasur një rritje shumë të lehtë, rreth 1%. Atëherë ka qenë diku te 31%”.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë parashikon që kuota gjinore prej 30% të futet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Kjo rezervon 30% të vendeve për gra, në kuvendet lokale dhe qendrore gjithashtu. Pavarësisht kësaj, ky ligj është në kundërshtim me ligjin për barazi gjinore, i cili kërkon 50% përfaqësim të barabarte të gjinive në Kosovë.

Ligji Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, pika 8, thekson se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike, arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50% për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Në procesin e kaluar zgjedhor, 39 gra arritën të kenë një vend në parlamentin e Kosovës, 13 prej tyre me kuotën gjinore dhe 26 me numrin e lartë të votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore