Lajme

Kosovë: 18 vjet burgim për Mimoza Pajazitin, vrau të dashurin Avdyl Kçikun


Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 18 vjet burgim të akuzuarën për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Mimoza Pajaziti.

Sipas aktgjykimit e akuzuara Pajaziti u dënua me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa iu shqiptua dënimi unik në kohëzgjatje prej 18 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit, e pandehura më 31 gusht të vitit 2018 kishte vrarë të dashurin e saj Avdyl Kçikun, brenda veturës duke shtënë në drejtim të tij dy herë me armë zjarri, duke e qëlluar në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë.

”Me veturën e tij të markës “Land Rover” futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës e qëllon dy herë me armë zjarri të markës “Crevna Zastava M57”, një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajt.

Pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, e njëjta ishte arrestuar nga autoritetet gjermane më18 dhjetor të vitit 2019, e kishin ekstraduar në Kosovë.

“Menjëherë pas kryerjes së veprës penale, e njëjta largohet nga vendi i ngjarjes dhe arratiset për në shtetin e Gjermanisë, me ç’rast pas vërtetimit të vendndodhjes së saj”.

Ndërkohë, kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore