Lajme

Kosovë: 10 persona të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare


Kryeprokurori i Prokurorisë themelore të Pejës, Agim Kurmehaj

10 persona janë arrestuar në aksionin e ditës së enjte me urdhër të Prokurorisë së Pejës për dyshime të kryerjes së veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, përkatësisht për ndërtime të kundërligjshme.

Në mesin e të arrestuarve janë katër Drejtor të Urbanizmit dhe gjashtë zyrtarë komunal kryesisht nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Inspektoratit, të njëjtit zyrtarë kryejnë funksionin e tyre në Komunën Pejës, Klinës, Istogut dhe Deçanit.

Këtë e ka bërë të ditur Kryeprokurori i Prokurorisë themelore të Pejës, Agim Kurmehaj dhe prokurorja e çështjes e cila njëkohësisht është koordinatore e veprave penale të korrupsionit, Lumturije Vuçetaj, përmes një konference për media.

Kryeprokurori Kumrehaj, ka treguar që ka caktuar pesë prokurorë për grumbullim informatave rreth rastit si dhe ka treguar që prokuroria është në fazën e grumbullimit të provave.

“Kam caktuar pesë prokurorë që kanë grumbulluar informata rreth këtyre ndërtimeve. Janë arrestuar 10 persona zyrtarë. Jemi në fazën e grumbullimit të provave që kanë manipuluar me autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre”, tha Kurmehaj

Kurmehaj, gjithashtu është përgjigjur edhe lidhur me rastin në Deçan ku janë helmuar mbi 1500 persona.

Ai ka thënë se po punohet të kuptohet nëse shkaktar ka qenë njeriu për kontaminimin e ujit në këtë komunë.

“Menjëherë pas marrjes së informatave në Deçan kemi angazhuar prokurorë për ta hetuar këtë çështje. Jemi duke punuar intensivisht dhe jemi duke hetuar nëse ka qenë faktori njeri fajtor për këtë çështje”, ka thënë ai.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka mbajtur një konferencë për media lidhur me situatën e fundit në Komunën e Pejës, ku u arrestuan disa zyrtarë.

Muhaxheri para mediave deklaroi se zyrtarët e arrestuar sot nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, janë të pafajshëm.

Albanian Post, ka kontaktuar, zëdhënësen e Komunës së Deçanit Yllarta Thaci, për tu informuar me detaje në lidhje me arrestimet e sotshme në këtë komunë.

Sipas saj në “Komunën e Deçanit nuk ka pasur bastisje sikur në komunat e tjera dhe se është përcjellë për intervistë pa u arrestuar Drejtori i Urbanizmit Ramë Mehaj”.

Edhe në Komunën e Klinës nuk ka pasur arrestime por vetëm është ftuar për intervistë drejtori i Urbanizmit në Komunën e Klinës, Lorenc Marleku dhe zyrtari i drejtorisë së inspektoratit Ali Dashi, këtë për AP e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Klinës, Mirsad Dakaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore