Tanët

Kosova zë vendin e parë në Ballkan, për sa i përket shpërblimit për medalje olimpike


Shteti i Kosovës, është vendi që shpërblen më së shumti sportistët që sjellin medalje nga Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Medalja e artë nga Lojërat Olimpike shpërblehet me një shumë prej 100 mijë eurosh, e argjendta 60 mijë, si dhe e bronzta 40 mijë euro.

Kosovarët deri më tani kanë fituar dy medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, derisa shtetet fqinje të ballkanit, nuk e kanë fituar ende një të tillë.

Medaljet e arta, kosovarët i fituan në sportin e xhudos. Fillimisht Distria Krasniqi fitoi një, më pas edhe Nora Gjakova korri të njëjtin sukses.

Mediumi kroat 24sata.hr ka publikuar një listë me vendet ballkanike që shpërblejnë më së shumti sportistë për medalje olimpike.

Sipas tyre, Kosova renditet e para, sa i përket shpërblimit të sportistëve, pasi që paguan 100 mijë euro shpërblim, sportistëve që sjellin medalje të artë nga Tokio.

Pas Kosovës, vendin e dytë në Ballkan e mban Serbia me shpërblim prej 70 mijë eurosh.

Sipas kësaj renditje, Mali i Zi zë vendin e tretë me një shpërblim prej 35 mijë eurove, derisa Kroacia paguan 28 mijë euro, e Bosnja e Hercegovina me një shumë të vogël prej 2 mijë e 300 eurosh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore