Lajme

Kosova t’i bindë skeptikët për vizat – Sllovenia është pro


Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha.

“Është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të zhvillojë dialog të rregullt me vendet anëtare ‘skeptike’ të Bashkimit Evropian (BE) dhe t’i bindë ato”.

Kështu është përgjigjur Ministria e Punëve të Jashtme sllovene pyetjes së Albanian Post, se si ky shtet do ta trajtojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi tashmë ka marr kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në përgjigje më tutje thuhet se shteti slloven në parim e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe të liberalizimit të vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian, në parim ne e mbështesim atë.”

Zyra për media e ministrisë së punëve të jashtme sllovene, ka komentuar edhe për “non-paper”-in slloven i cili thuhet se është përpiluar nga Kryeministri i këtij vendi Janez Jansha.

“Pozicioni sllovene ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet e pandryshuara, ne mbështesim integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Me 1 korrik të këtij viti Sllovenia e ka marrë në udhëheqje për gjashtë muaj presidencën e Bashkimit Evropian.

Kjo është hera e dytë që ky vend do të udhëheqë me presidencën e bllokut 27 anëtarësh gjatë qeverisjes së Janshës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Anzhe Logar, gjatë paraqitjes së përparësive të Presidencës sllovene pati thënë se “e ardhmja evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimi i procesit të zgjerimit duhet të bëhen interesi strategjik i Bashkimit Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore