Lajme

Kosova, temë diskutimi në seancën e nesërme të Këshillit të Sigurimit së OKB-së


Një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbahet të martën në New York, në të cilën do të diskutohet Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi punën e UNMIK-un, për periudhën nga shtatori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021 dhe Kosovën.

Seanca e kryesuar nga Vietnami do të zhvillohet në formë virtuale për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi punën e UNMIK-ut përfshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të mbajtura me 14 shkurt.

Brenda raportit po ashtu përfshihet edhe puna e UNMIK-ut mbi aktakuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë, të ngritura kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, duke i lakuar ato si ngjarjet kryesore politike.

Mes tjerash, raporti thekson se këto ngjarje e kanë ngadalësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Sipas këtij raporti, paqja e qëndrueshme, stabiliteti dhe zhvillimi socio-ekonomik në Kosovë dhe rajon varen nga progresi i qëndrueshëm në dialog që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore