Lajme

Kosova po kalon në krizë ekonomike e shoqërore, thotë Abdixhiku


“Kosova po kalon nëpër një periudhë të rëndë ekonomike e shoqërore”, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Çmimet e larta, pagat e ulëta, furnizimi energjetik, mungesa e investimeve kapitale, rrënimi shëndetësor, kriza në arsim e ikja e të rinjve janë brengat e shprehura në çdo takim”, ka shkruar kreu I LDK-së në Facebook.

Ai thekson se qytetarët janë ngopur me arsyetimet mbi të shkuarën, “siç po lodhen me polarizimin e skajshëm shoqëror që po u servohet në vazhdimësi”.

“Kjo nuk është Kosova që e kanë kërkuar si ndryshim”.

“Shoqëria jonë meriton hapa të shpejtë zhvillimor drejt së ardhmes që kjo gjeneratë politike duhet ta krijojë. Ky është qëllimi ynë”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se partia që e drejton ka një plan dhe ekip të denjë e të përgjegjshëm “për të dërguar Republikën në drejtimin e synuar gjithherë”.

“Për të bërë këtë rrugëtim, do të flasim, do të takojmë, e do të punojmë në çdo fshat e çdo qytet të vendit tonë. Do të jemi zë i qytetarëve tanë sot, për të qenë ndryshues të vërtetë nesër”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore