Sport

Kosova pesë vite në UEFA


Ishte data 3 maj i vitit 2016, kur shteti i Kosovës u pranua me të drejta të plota në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA.

Pesë vite më parë ishte marrë vendimi i madh për Kosovën në Kongresin e Budapestit, duke u thyer kështu izolimi i futbollit kosovar, pas shumë përpjekjeve e angazhimeve nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës në krye me legjendën tashmë të ndjerë Fadil Vokrrin.

Në fakt, anëtarësimi i Kosovës në UEFA, ishte thuajse i pashpresë, pasi që neni 7 i rregullores së UEFA-s thoshte “asnjë federatë nuk mund të pranohet në UEFA, nëse shteti të cilit i takon ajo, nuk posedon ulëse në OKB”.

Por, shtëpia e futbollit evropian, u gjend para aktit të kryer, kur Komiteti Olimpik i Kosovës, u pranua nga Komiteti Ndërkombëtar.

Që nga thyerja e izolimit, futbolli kosovar nisi të përparojë më shumë, sidomos kombëtarja e cila vazhdimisht tregoi rritje në aspektin e lojës.

Loja që tregonin dardanët, bëri që shumë njerëz të futbollit të mbeteshin të befasuar, pasi që ata ishin të rinj si ekip.

Loja e parë e Kosovës në një ndeshje garuese ndërkombëtare, ishte ajo kundër Finlandës e cila u mbyll me rezultat 1:1, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror.

Ndërsa suksesin më të madh Dardanët e arritën në Ligën e Kombeve, kur nga Grupi D u kualifikuan një rang më lartë.

Në këtë datë të rëndësishme për futbollin kosovar, kryetari i FFK-së, Agim Ademi iu është drejtuar me një letër urimi të gjitha klubeve, zyrtarëve të futbollit, lojtarëve, dhe anëtarëve të FFK-së duke i uruar për të gjitha arritjet e deritanishme me angazhimin e tyre të madh.

Ademi ka thënë se ky pesë-vjetor e gjen Kosovën me më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare dhe  gjatë këtyre viteve Kosova ka arritur progres të madh dhe ka fituar respektin dhe simpatinë e UEFA-së si dhe të federatave simotra.

Tutje, i pari i FFK-së falënderon të gjithë paraardhësit e tij për këtë arritje të madhe të futbollit kosovar.

“Në këtë përvjetor dua të nderoj dhe të vlerësoj punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës në periudha të ndryshme, duke filluar nga kryetari i parë pas mëvetësimit, Agim Bytyçi, pastaj Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe legjenda Fadil Vokrri, së bashku me të gjithë bashkëveprimtarët e tyre ndër vite”, theksoi Ademi.

Ademi në urimin e tij, gjen vend edhe për lutje për të gjithë shqiptarët që luajnë në ligat evropiane, ta përfaqësojnë Kosovën në të ardhmen.

“Jemi të bekuar që kudo në Evropë kemi talente. Ata çdo herë do të jenë të mirëseardhur për të kontribuar për atdheun e baballarëve të tyre dhe për ta ngritur sa më lart nivelin e ekipeve zinxhirë të kombëtares sonë” shtoi kryetari i FFK-së.

Në fund, Ademi falënderoi të gjithë miqtë dhe përkrahësit e Federatë se Futbollit të Kosovës.

Në fund, dua të falënderoj edhe një herë të gjithë miqtë dhe përkrahësit e FFK-së, posaçërisht DFB-në dhe bashkëpunëtorët tanë në Gjermani, FSHF-në me presidentin Armand Duka, zyrtarin e atëhershëm ligjor të UEFA-s, Alasdair Bell për interpretimin dhe argumentimin e shkëlqyeshëm të Statutit të UEFA-s si dhe këshilltarin e ish-presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, Jerome Champagne”, përfundoi kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore