Muzikë

Kosova, përmes DJ Regard, në “Billboard”


Artikulli i publikuar në "Billboard"

Magazina amerikane, “Billboard”, ka publikuar një artikull të tipit intervistë, kushtuar artistit nga Kosova, Dardan Aliut, për publikun i njohur si – DJ Regard, ndërsa e ka titulluar – “10 gjëra që duhet të dini për skenën elektronike të Kosovës”.

Fillimisht, e përditshmja amerikane, i ka numëruar disa nga sukseset e artistit në sferën internacionale të tilla si; qëndrimi për 52 javë me radhë në “Billboard’s Hot Dance/Electronic Songs” dhe futjen e tij në listën tjetër të famshme “Billboard Hot 100”, brenda të cilës kaloi 10 javë.

Gazetarja e “Billboard”, Katie Bain, ka përzgjedhur si temë të bisedës “Skenën e muzikës elektronike në Kosovë” dhe nuk munguan as përgjigjet epike të artistit kosovar.

DJ Regard.

DJ Regard ka përzgjedhur klubet “Venom” dhe “Coco Club”, si më të mirat për tu frekuentuar në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa ka shtuar se – “jeta e natës në Kosovë të jep ndjenjën se jeton në një vend si Ibiza, sepse është shumë nxehtë gjatë verës dhe njerëzit këtu çmenden për jetën e natës me shumë ngjarje”.

Artisti nga qyteti i Ferizaj ka folur edhe rreth organizimit të festivaleve në Kosovë, teksa ka theksuar se – “Sunny Hill Festival është më i madhi në Kosovë sa i përket festivaleve”.

“Sunny Hill Festival”, Prishtinë – Kosovë.

“Festivali më i mirë lokal është: ‘Sunny Hill Festival’ – njëkohësisht festivali më i madh në Kosovë, dhe mendoj se është pothuajse më i madhi në rajon”.

“Zakonisht linja është një përzierje e mirë e artistëve ndërkombëtarë dhe vendas, Calvin Harris, Meduza dhe Miley Cyrus luajtën atë të fundit. Shpresoj se së shpejti do të jem në gjendje të luaj në këtë festival. Do të ishte goxha e mahnitshme”, ka thënë ai.

Mes tjerash, DJ Regard, i pyetur se – “cilat këngë të vallëzimit nga Kosova janë më në trend aktualisht”, ai ka këngën përzgjedhur “Pa Ty” të Muma-s dhe Cricket.

“’Pa ty’ nga Muma x Cricket-një prodhues shqiptar. Ai ishte gjithashtu një nga autorët që fshihet pas një kënge të mrekullueshme të quajtur ‘Bonbon’ nga artistja shqiptare Era Istrefi”.

Tutje, DJ Regard, nuk ka harruar të theksojë edhe emrat e Dua Lipës dhe Rita Orës si simbole të suksesit muzikor të artistëve nga Kosova në botë.

“Ka një muzikë të mahnitshme që del nga Kosova, jo vetëm këngë vallëzimi, por edhe disa artistë të mrekullueshëm – si Dua Lipa dhe Rita Ora që kanë rrënjë kosovare – dhe është mirë të shohësh që ata të marrin njohje globale për të”, ka thënë DJ Regard.

Madje, DJ Regard, kishte edhe një porosi për njerëzit në SHBA, me anë të së cilës dëshiron të tregojë disa virtyte të Kosovës.
“Kosova tradicionalisht është e njohur për festimin e ngjarjeve, veçanërisht dasmat që vazhdojnë për një javë”.

“Skena kosovare po ka shumë ndikim në zhanret rap gjermane dhe zvicerane, por ndërkohë këngëtaret po arrijnë me shumë suksese në mbarë botën si Dua Lipa, Rita Ora, Era Istrefi, etj”, ka thënë ai.

Prestigjiozja “Billboard”, artikullin e ka përfunduar me një porosi nga artisti DJ Regard karshi audiencës së gjerë të këtij mediumi.

“Ne, njerëzit kosovarë, jemi kaq ambiciozë. Ne gjithmonë vendosim synime të mëdha për veten tonë dhe bëjmë më të mirën që mundemi për t’i arritur ato – dhe gjithashtu dua të bëj një falënderim të madh për tifozët e mi amerikanë që kanë luajtur një rol të madh në të arriturat e mija. Mezi pres të vij dhe të luaj për ju së shpejti”, ka thënë ai.

Ndryshe, pak javë më parë, DJ Regard ka sjellë bashkëpunimin e tij me artistin e njohur australian, Troye Sivan dhe dhe këngëtaren kanadeze, Tate McRae të titulluar – “You”.

Kënga u mirëprit nga publiku, ndërsa pak kohë më vonë pas publikimit, u lansua performanca live e tre artistëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore