Lajme

“Kosova nuk shpëton nga ri-përcaktimi i kufijve me Serbinë”


Valon Murati, Kryetar i Lëvizjes për Bashkim

“Ripërcaktimi i territorit në mes të Kosovës dhe Serbisë” është i pashmangshëm, në mënyrë që Kosova të përfundojë projektin e shtetësisë.

Valon Murati, Kryetar i Lëvizjes për Bashkim, në një emision në Klan Kosova ka thënë se shteti i Kosovës nuk do të ketë shpëtim nga ky veprim.

“S’ka zgjidhje tjetër”.

“Kjo jo veç që kthehet por kjo do të jetë edhe fundi. Kurdo që do të jetë fundi i raporteve me Serbinë. Nuk ka shpëtim. E vetmja mënyrë që Kosova të bëhet shtet funksional dhe ta përfundojë projektin e shtetësisë”.

Në këtë fazë, sipas Muratit është shumë e rëndësishme që të pyeten shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc si dhe serbët në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan se me kë duan të jetojnë.

“Ne si Lëvizje për Bashkim asnjëherë si kemi thënë si shkëmbim territoresh”.

“As unë nuk e pëlqej ta quaj ashtu. Ne kemi thënë “ripërcaktim të territoreve” në bazë të vullnetit të popullsisë në ato pjesë. Thelbi është që të pyeten shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën dhe të bashkohen, e njëjta duhet të vlejë edhe për serbët në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan ku janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë”.

“Le të vendosin qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, le të vendosin shqiptarët atje dhe le të vendosin edhe serbët në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan se me kënd duan të jetojnë”.

Udhëheqësi i LB-së shtoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, me kauza popullsite ka ardhur në pushtet dhe me të njëjtat kauza është duke qëndruar.

“Kryeministri Kurti ka ardhur në pushtet me kauza populiste dhe qëndron në pushtet me kauza popullsitë”.

“Zgjidhja e problemeve me Serbinë është guri më i rëndë që qëndron mbi shpinën e Kosovës dhe ai politikan, ai vizionar, ai burrështetas, ai grup i politikanëve i cili do ta zgjidh këtë problem do t’i bëj nderin më të madh vendit”.

“Por, zgjidhja e problemit me Serbinë nuk është e lehtë. Të gjitha opsionet nuk janë të lehta. Do të kërkojnë kompromise dhe kryeministri Kurti si një prepotentë i popullizmit dhe ai të gjitha kompromiset i hedh poshtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore