Shqipëria

Kosova nuk përfaqësohej në takimin e Beogradit, thotë Meta


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi se Kosova nuk përfaqësohej në takimin e Beogradit, referuar konferencës rajonale mbi “Mundësitë e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor”.

Kjo e fundit u organizua nën kujdesin e Qeverisë së Norvegjisë.

“Tregu rajonal i energjisë, fillon duke respektuar Bllokun e Kontrollit të Pavarur të Operimit, ku ti vetë je pjesë. Shqipëria është në një bllok kontrolli bashkë me Kosovën, e cila nuk përfaqësohej në takimin e Beogradit”, theksoi ish-presidenti shqiptar.

Ish-kreu i shtetit shtoi se Serbia është bllok kontrolli i pavarur së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat përfaqësoheshin të plota në Beograd.

Sipas tij, shqiptarët duhet ta dinë se shkëmbimet tregtare të energjisë midis Kosovës dhe Serbisë janë “zero”.

“Si mund të flasësh për treg rajonal apo bashkim tregjesh, kur ende nuk ke në operim tregun lokal të energjisë?”, pyet Meta në reagimin e tij në median sociale “Facebook”.

Më herët, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama e konsideroi masterplanin rajonal të energjisë “një mundësi të shkëlqyer”.

Kjo, duke dhënë shpresë për vijimin e mëtejshëm të bisedimeve shumëpalëshe rreth këtij zhvillimi.

“Kjo nuk është veç një mundësi e shkëlqyer, por edhe një mbledhje e nevojshme”, tha ai, duke përshkruar kohën e vështirë në të cilën kontinenti ndodhet, mes luftës në Ukrainë, inflacionit në rritje dhe krizës energjetike.

Këto tre aspekte, nuk ndikojnë veç në Evropë dhe botë, por mbi të gjitha edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shpjegoi më tej Rama.

Në përmbyllje, kreu i Qeverisë falënderoi Norvegjinë për mundësinë që i ka ofruar Ballkanit dhe për nisjen e bashkëbisedimit.

Përtej Shqipërisë, pjesëmarrëse ka qenë edhe Serbia, ku takimi u organizua, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Teksa, nga Kosova, nuk pati asnjë përfaqësues në takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore