Lajme

“Kosova nuk ka strategji të qartë për anëtarësim në KiE” – Si mund të rrezikohet i gjithë aplikimi?


Me 12 maj të këtij viti Kosova kishte dorëzuar zyrtarisht aplikimin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, një nga institucionet më të rëndësishme evropiane dhe më i rëndësishmi sa i përket trajtimit të çështjeve të drejtave të njeriut.

Aplikimi është pranuar dhe Kosova vazhdon të mbetet demokracia e vetme në Evropë që nuk është anëtare në këtë institucion prej 46 shtetesh, por janë shprehur shqetësime rreth mënyrës së anëtarësimit dhe fuqisë lobuese prapa.

Kërkuesja shkencore, që për një kohë të gjatë ka punuar në Kosovë, Nicasia Picciano, ka shkruar një artikull në mediumin Visegrad Insight rreth problematikës së anëtarësimit të Kosovës.

Artikulli i titulluar “Bixhozi i Kosovës me Këshillin e Evropës”, flet për rrezikun e këtij aplikimi të tanishëm, meqë një mohim eventual, do ta shtynte më pas për një kohë shumë të gjatë dhe të papërcaktuar aplikimin e serishëm.

Ajo thërret për aktivizim të Kosovës, sidomos shfrytëzim të raporteve më përkrahësit e përhershëm të fuqishëm nga Evropa.

Sipas saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përkatësisht ministrja, Donika Gërvalla, nuk e ka një plan preciz për rrugën drejt anëtarësimit.

“Kosova ka filluar ta shtyjë përpara anëtarësimin në Këshillin e Evropës pa një strategji të qartë dhe në një kohë të ngritjes së tensioneve”, shkruan Picciano.

“Nëse vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor nuk bën përparim të mëtejshëm me mbështetësit e përhershëm (shtetet mike) progresi në Evropë mund të jetë i lidhur nyje për shumë vite në të ardhmen”, paralajmëron autorja.

Ministrja Donika Gervalla

Ish-kërkuesja shkencore në organizata të rëndësishme të shoqërisë civile në Kosovë si “Grupi Kërkimor për Politika në Ballkan” dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në analizën e saj, megjithatë sqaron se në këtë kohë është moment i përshtatshëm për të provuar – gjithmonë me një plan konkret prapa.

“Nisma për anëtarësim në këtë institucion që mbron të drejtat e njeriut mund të përshpejtohet nga ngjarjet ndërkombëtare jo të mira: Lufta e Rusisë në Ukrainë, dhe përjashtimi aktual i Moskës nga KiE. Sigurisht, këto rrethana do të reflektojnë për të konsoliduar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor një herë e mirë”, pohon ajo.

Rëndësia e anëtarësimit në KiE është e jashtëzakonshme, sepse ky institucion konsiderohet “njëfarë dere për në Bashkimin Evropian”.

Gjithashtu, është KiE që ka ndihmuar shtetet e Evropës lindore që të demokratizojnë sistemin e tyre politik pas kolapsit të komunizmit.

BE-ja është partneri kryesor institucional në çështje politike, legale dhe financiare.

“KiE është njëfarë shkolle fillore, derisa BE-ja universiteti”, shkruan Picciano.

KiE nuk nxjerr ligje, megjithatë ka fuqinë të shtyjë përpara politika të caktuara në organizmave të tjerë ndërkombëtar ligjvënës, gjithashtu ka edhe marrëveshje të fushave të ndryshme në të cilat KiE bën marrëveshje me shtete.

“Është hapur një kapitull i ri”, do thoshte Donika Gërvalla, kur pati njoftuar aplikimin.

“Kosova është vendi më demokratik në rajon, prandaj e meriton anëtarësimin. Ky proces që po e fillojmë sot do të përfundojë me anëtarësim në KiE”, pati shprehur siguri ministrja e jashtme.

Gjithsesi, prej kësaj dite nuk është njoftuar më se ku ka mbërritur procesi.

Po ashtu, në sesionin e fundit të Asamblesë Parlamentare të KiE nuk ishte në rëndë të ditës anëtarësimi i Kosovës. Në Serbi u mburrën se ishte delegacioni i tyre atje që nuk e lejojë, por në një njoftim për media, MPJ e Kosovës deklaroi se as nuk kishin bërë kërkesë për të qenë në rend dite, andaj deklarimet e Beogradit zyrtar janë në kuadrin e shpifjeve që jo rrallë i bëjnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore