Lajme

Kosova në NATO, rajoni stabil – por, cilat janë gjasat për anëtarësim?


Ilustrim

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë si pasojë e invadimit të ushtrisë ruse, që ishin në pritje prej disa muajsh në pjesën lindore dhe jugore të Ukrainës, territori i Ballkanit Perëndimor nga ekspertët e sigurisë është vlerësuar si një terren i mundshëm i shpërthimit të një konflikti.

Viteve të fundit hapësira e Ballkanit Perëndimor ka arritur të dalë thuajse në tërësi nga ndikimi rus, veçanërisht pas anëtarësimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pikat e ndjeshme të cilat janë më kritike janë Bosnja dhe Hercegovina (BeH) dhe Kosova, veçanërisht Bosnja.

Meqë Serbia ende vazhdon të jetë një vend që mbështet dhe përkrah politikat dhe interesat e Rusisë. Ajo shihet si rreziku potencial i ndezjes së një konflikti në rajon.

Politikanët e Kosovës, opozita dhe liderët e institucioneve shtetërore, kanë kërkuar që të lehtësohen dhe të përshpejtohen procedurat për anëtarësimin e Kosovës në NATO, në mënyrë që të evitohet një konflikt i mundshëm i provokuar nga Serbia dhe i sponsorizuar nga Rusia.

Për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, thirrje dhe veprime konkrete janë dëgjuar edhe nga liderë të rajonit dhe politikanë të ndryshëm, përfshirë edhe kongresistë amerikanë.

Por, cilat mund të jenë pengesat në këtë përshpejtim?

Një prej tyre është mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian (BE). Por, a mjaftojnë vetëm thirrjet apo duhet veprime konkrete nga diplomacia dhe institucionet vendimmarrëse të Kosovës?

Lidhur me këtë, për Albanian Post, ish-Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Besnik Hoti, ka thënë se në dritën e zhvillimeve dramatike që po ndodhin në Ukrainë pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, Republika e Kosovës duhet të intensifikojë takimet dhe veprimet me partnerët dhe të parashtrojë kërkesën rreth anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“I them diplomacisë së Republikës së Kosovës Time for Action. Izolimi diplomatik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë nga Perëndimi në njërën anë, qëndrimi ambig i Serbisë në anën tjetër, i jep një atu të fortë diplomacisë së Kosovës për të ndërmarrë veprime konkrete rreth anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”.

ish-Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Besnik Hoti

“Diplomacia jonë duhet me vendosmëri dhe këmbëngulje të kërkojë që gjatë muajve në vazhdim të merret vendimi për liberalizimin e vizave, pasi që ky proces ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Ky është minimumi që mund të bëjë Bashkimi Evropian në këtë kohë për Kosovën”, ka thënë ai.

Hoti është shprehur se anëtarësimi në Këshillin e Evropës (KE), pas përjashtimit të Federatës së Rusisë, kurrë nuk ka qenë më afër.

“Duhet angazhim dhe punë konkrete nga diplomacia jonë me shtetet anëtare të kësaj organizate. Qysh sot numrat janë të sigurt dhe Kosova mundet të bëhet anëtare me të drejta të plota në një nga organizatat më të vjetra në kontinentin evropian”.

Këshilli i Evropës (KE)

Ish zëvendës ministri i jashtëm i Kosovës ka thënë se Rusia ka kohë që ka krijuar xhepin e saj strategjik në Ballkan.

“Rusia ka armatosur Serbinë me lloje të ndryshme armatimi. Ka hapur zyrën e Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd kohë më parë, por ka ndërmarrë edhe shumë veprime tjera”.

Sistemi rus raketor PVO “Pancir S1” – i blerë nga Serbia.

“Paralajmërimet e disa liderëve të SHBA-ve dhe BE-së, se rajoni i Ballkanit mund të përfshihet në konflikt duhet të lexohet si alarm i kuq nga NATO”, ka thënë ai.

Anëtarësimi në NATO i Republikës së Kosovës, sipas Hotit, do të shuante apetitet e Rusisë dhe do të ofronte siguri dhe stabilitet rajonal.

“Republika e Kosovës që sot është e gatshme të bëhet pjesë e NATO-së, sepse është aspiratë e popullit të Kosovës. Populli i Kosovës është i mishëruar në vlerat euroatlantike”.

Por se, Aleanca Veri Atlantike, NATO, ka rregulla dhe procedura në rrugën që duhet të ndjek një shtet i caktuar që dëshiron të anëtarësohet, duke i plotësuar kriteret, andaj sipas Hotit edhe Kosova duhet t’i nënshtrohet këtyre kritereve.

Pengesë e madhe për Kosovën mbeten katër shtetet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës (Greqia, Sllovakia, Spanja dhe Rumania).

“Agresioni rus në Ukrainë dhe rreziku i bartjes në rajonin e Ballkanit duhet jetë këmbanë alarmi për këto katër shtetet që së paku të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në NATO (vendimet në NATO merren me konsensus)”.

Helikopter rus Mi-17V-5 të blerë nga Serbia.

“Të gjithë anëtarët e NATO-s kanë aftësinë dhe mundësinë që të hulumtojnë dhe të vendosin formatin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës, në dritën e ndryshimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike që po ndodhin në botë”, ka thënë Hoti.

Ashtu si Hoti konsideron edhe politologu Florent Hajrizi. “Kosova është larg mundësisë së anëtarësimit në NATO”.

Një problem tjetër, sipas tij, është edhe mosdemarkimi i vijës kufitare me Serbinë.

“Pasi ende kemi bela të hapura me fqinjin verior dhe ende ky paraqet një problem të madh. Disa nga kufizimet që Kosova i ka për anëtarësim të shpejt siç po proklamohet në NATO, është edhe fakti që ende nuk kemi të demarkuar kufirin me Serbinë. Kemi mungesë të kontrollit mbi gjithë territorin e vendit tonë”, deklaroi Hajrizi për AP.

Ai konsideron se Kosova fillimisht duhet ta ketë të qartë se cili është kontributi i saj në aleancë dhe në Partneritetin për Paqe.

“Po ashtu, për anëtarësim kërkohen edhe kontributet që janë në kuadër të asaj çfarë njihet si PFP (Partneriteti për Paqe)”.

Kurse, për deklarimet e ministrit Armend Mehaj thotë se janë vetëm “populizëm i rradhës!”.

Florent Hajrizi, politolog

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore