Lajme

Kosova mes rrezikut dhe humanizmit


Qendra per azilkerkues-Kosovë

Pamjet e javës së fundit nga Afganistani vunë në pah situatën kaotike të krijuar pas tërheqjes së trupave amerikane të cilët ishin prej dy dekadash të vendosur atje.

Trupat talebane shumë shpejt kishin përparuar duke marrë nën kontrollë qytetet kryesore të Afganistanit si dhe kishin rrethuar edhe vet kryeqytetin Kabul.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të diel bëri të ditur se një muaj më parë kishte pranuar një kërkesë nga Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, për strehimin e përkohshëm në Kosovë të afganëve pro-amerikan.

Ajo ka deklaruar se është pro akomodimit të refugjatëve afgan në Kosovë.

Ndërsa Qeveria e Kosovës ende nuk ka shpjeguar asgjë se si do të veprojë; a do të pranoj apo jo qytetarët afgan për strehim në vend.

Njohësit e çështjeve të sigurisë në vend kanë vlerësuar se strehimi i afganëve në Kosovë paraqet rrezik, por që Kosova nuk duhet të mbyll dyert për refugjatët afgan.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se me refugjatët mund të infiltrohen njerëz të ndryshëm të cilët edhe mund të kenë lidhje me talebanët. Verifikimi i refugjatëve nga institucionet e shtetit është një sfidë në vete dhe se mund të jetë një proces shumë i gjatë.

Në rast se ka të infiltruar, pas një kohe ata mund të jenë element destabilizues për Kosovën vlerësojnë ekspertët e sigurisë.

Një problem tjetër sipas tyre është edhe numri i refugjatëve që mund të vijnë, meqë Kosova sipas tyre nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar një fluks shumë të madh të refugjatëve.

Pas valës së parë që mund të vije, refugjatët do të kërkojn që të sjellen edhe familjarët e tyre, gjë që do të rritëte numrin e refugjatëve në vend dhe rrjedhimisht edhe rrezikun.

Ata konsiderojnë se Kosova duhet të pranoj një numër simbolik të refugjatëve duke qenë në harmoni me sipërfaqen territoriale që ka, kur dihet se jemi shteti me numrin më të madh të banorëve për kilometër katror krahasuar me vendet e rajonit.

Lidhur me këtë vlerësojnë se, Qeveria duhet të dal me shifra konkrete se sa ka kapacitet të pranoj, nëse vendos të pranoj refugjatët.

Nga ana tjetër qendrat për azil dhe disa hapësira të tjera në Kosovë aktualisht kanë një kapacitet maksimal prej 10 mijë persona, ani pse ato nuk janë të kompletuara.

Përveç qendrave për azil që gjenden në periferi të Prishtinës, qyteti i Prizrenit ai i Gjakovës dhe qyteti i Vushtrrisë, po shihen si vende ku mund të strehohen refugjatët, përkatësisht në bazat ushtarake të këtyre qyteteve.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria është e gatshme të pranoj refugjatët afgan.

Ai këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera ka thënë se Shqipëria nuk ka qenë e mbylluar asnjëherë për refugjatët.

Tutje ai i ka bërë thirrje edhe Kosovës që ta ndjek shembullin e njëjtë.

Edhe kryemnistri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se shteti i tij është i gatshëm të pranoj refugjatët, dhe se për këtë ka biseduar me autoritetet amerikane ku edhe ju ka treguar gatishmërinë.

Të dielen në mbrëmje, talebanët kanë marr nën kontroll edhe objektin e presidencës afgane, pas arratis nga vendi të presidentit, Ashraf Ghani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore