Lajme

Kosova mes rrënjëve të helmuara të fuçisë së barutit: Është koha për hakmarrje


Ne nuk po bëjmë luftë, sepse Kosova është e jona dhe askush nuk bën luftë në shtëpi të vet. A mund të hyjë ndonjëherë Italia në luftë me Sardenjën apo Piemonte-n?

Në murin e jashtëm të klubit, një Vladimir Putin, i cili vërtet ka pak ngjashmëri me origjinalin, ngre gotën e tij duke bërë dolli me njerëzit e ulur në tavolina, të cilët nga ana e tyre janë duke festuar përplasjet e së hënës dhe ndoshta duke përgatitur një vazhdim.

Mes tyre është edhe Jovani, një ish-oficer i ushtrisë jugosllave, i cili bën pyetje me një ton aq autoritar sa çdo përgjigjeje do të ishte mirë mos kërkohej!

Në anën e kundërt të kryqëzimit, një grup të rinjsh me bluza të zeza, si pothuajse të gjithë të pranishmit, presin të marrin urdhra nën muralin që feston gjeneralin Ratko Mlladiç, i njohur ndryshe si xhelati i Srebrenicës.

Në fund të rrugës qendrore, dhjetëra agjentë të policisë ushtarake kosovare janë vendosur për të mbrojtur bashkinë.

Barriera me tela me gjemba që i ndan nga demonstruesit serbë nuk e fsheh ndjenjën e një rrethimi ndaj tyre.

Në trotuar ka ende gjurmë të mbetura nga bombat e Molotovit, ndërsa makinat me xhamat e thyer janë mbuluar me Z  të shkruar me bojë të zezë dhe janë shfaqur si trofe.

Thellë në veri të Kosovës, përtej Mitrovicës dhe nën hijen e malit të quajtur dhëmbi i dragoit, mbi të cilin gjenden mbetjet e një kështjelle të lashtë mesjetare serbe, Zveçani duket vërtet një botë e përmbysur.

Në rrugën që të çon në qendër, pothuajse çdo shtëpi shfaq flamurin serb dhe rus.

Janë të panumërta Z-at në mure, me shumë variacione që thurin lavdi për Brigadën Wagner, në rast se koncepti nuk është i qartë për kalimtarët.

Hyhet në lokalin Camel pasi këmbët fshihen në një rrogoz dere që tregon flamurin amerikan dhe fytyrën e Bill Clinton.

Kemi shëtitur me orë të tëra pa gjetur një banor etnik shqiptar, të paktën një nga 600 guximtarët që u paraqitën për të votuar për kryetarin e ri Ilir Peci, ndërsa 16 mijë bashkëqytetarët e tjerë, kryesisht serbë, braktisën zgjedhjet ashtu si në tre bashki të tjera të zonës, duke kontestuar më pas legjitimitetin e tyre.

“Do të ishte më efektive t’i mbyllësh të gjithë brenda”, thotë ushtari norvegjez nga kontingjenti i NATO-s, i cili mbikëqyr në mënyrë diskrete hyrjet në qytet.

“Ata nuk do të ndryshojnë kurrë mendje sido që të jetë”.

Pavarësisht njoftimit për dërgimin e 700 ushtarëve të tjerë që do t’i bashkohen katër mijë të tjerëve tashmë të pranishëm, raporti i fuqive duket i pabarabartë.

Në Zveçan, i cili dikur ishte kryeqyteti minerar i Jugosllavisë, historia është një detaj.

“Ky vend është Serbia, çfarëdo që të vendosë bashkësia ndërkombëtare”, shkurton Jovani, duke i bërë miqtë e tij të ngrenë syzet.

Nga një foto e vendosur në pasqyrën pas banakut, Sllobodan Millosheviç buzëqesh i kënaqur.

Një ditë pas sulmit që plagosi 34 ushtarë, mes tyre katërmbëdhjetë italianë, dy ende të shtruar në spital, të tjerët janë mirë, atmosfera mbetet e zhytur në dhunë.

Vështrimet e nacionalistëve serbë janë të mbushura me mllef dhe pritshmëri.

“Ne nuk do të kemi kurrë një kryetar bashkie shqiptar”, thotë Lazlo Gajovic, një tridhjetë vjeçar me kraharor të stërvitur, i cili megjithatë sapo ka ardhur nga Beogradi dhe nuk di asgjë dhe nuk njeh askënd në këto vende.

Në orën 14:00 një Jeep me flamurin e Bashkimit Evropian në derë përfundon gabimisht në qendër të kryqëzimit dhe pushtohet fillimisht nga klithmat, pastaj nga gurët dhe zhavorr të hedhura nga të gjitha drejtimet.

Gjysmë ore më vonë, disa “të moshuar” që menaxhojnë turmën nga klubi rekreativ, bëhen të paduruar.

Katër gazetarë kosovarë fajtorë për pyetje të padëshiruara goditen me shkelma dhe grushte.

Kamerat e tyre përplasen nën sytë e Policisë Ushtarake, të cilët bëjnë sikur nuk shohin.

Papritur, turma mblidhet rreth një burri.

Srdjan Milosavljevic duhet të jetë zëri i arsyes. Ka qenë kryetar i komunës së Zveçanit.

Mesazhi i tij që synon qetësimin e temperamentit është plot paqartësi.

Ne kemi të drejtë për gjithçka dhe gjithmonë, thotë ai.

“Por mbetet ende në dorën tonë shpëtimi i paqes”.

Megjithatë, ai vazhdon duke tejkaluar qëllimin e sapo përmendur me urdhër të një mobilizimi të vazhdueshëm, nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 16:00, të cilit sot do t’i shtohen edhe shumë mbështetës të ardhur nga kryeqyteti serb. “Për të parandaluar plagën e vazhdueshme të historisë sonë”.

Askush nuk flet për kërkesën për autonomi më të madhe ndaj shtetit qendror, mollë sherri që çoi në bojkotimin e votimit, sipas një versioni zyrtar që i përshtatet të gjithëve.

Ndoshta ishte vërtet kështu.

Në këtë enklavë ekstreme serbe të Kosovës, politika nuk ka të drejtë azili.

Të gjithë e mbushin gojën me arsyet e gjakut, të racës, të urrejtjes ndaj të tjerëve.

“Falë Rusisë, të vetmit vend që kupton arsyet tona, më në fund jemi gati të hakmerremi me shqiptarët dhe me ju evropianët”, shpjegon Milani-një djalë i ri – i cili pretendon se studion për drejtësi.

Dy qytetarë të vetëm nderi të Zveçanit janë Vladimir Putin dhe tenisti Novak Djokoviç, i cili nuk bën shaka me nacionalizmin.

Në shumë bluza është shtypur shkrimi Z3 ose anasjelltas, i cili ndërthur simbolin e pushtimit të Ukrainës me përshëndetjen e nacionalistëve serbë.

Pak jashtë Zveçanit, gjejmë një duzinë vetura të shkatërruara ose të djegura me targa të Republikës së Kosovës.

Në anën e nxirë të një Opel Astra dikush ka shkruar se “Kosova nuk ekziston”.

Raportim prej Zveçanit i Marco Imarisio-s nga “Corriere della Sera” 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore