Lajme

Kosova larg statusit të vendit kandidat


Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së

Qeveria e Republikës së Kosovës planifikon që gjatë këtij viti të dorëzojë edhe kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e kishte thënë në fund të vitit të shkuar kryeministri Albin Kurti, ndërsa e ka përsëritur së fundi edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në një postim në Twitter pas takimit me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë.

Nuk është hera e parë që nga autoritetet e Kosovës paralajmërohet aplikimi për anëtarësim në BE, por Kosova nuk e ka bërë asnjëherë deri më tash këtë hap.

Kjo, sipas burimeve diplomatike, për shkak të “këshillave të miqve”, të cilët kanë tërhequr vërejtjen se një kërkesë e tillë nuk do të kishte gjasa të kalonte në Këshill për shkak se Kosova nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së e procesi i zgjerimit, në secilin hap, është proces ku vendimet merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

Kështu, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndërkohë që BE-ja përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”.

Sa i përket qëndrimit ndaj statusit të Kosovës kjo zëdhënëse ka përsëritur se “Komisioni Evropian është neutral”, thonë nga BE për REL.

Në të kaluarën zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, kishte thënë se “Kosova nuk mund të aplikojë sepse për BE-në nuk është shtet sovran pasi nuk është njohur nga të gjitha shtetet”, e më vonë ishte përmirësuar se “secili mund të aplikojë, por është çështje tjetër sa reale do të ishte që ai aplikacion të kalojë”.

Por, ka edhe diplomatë në Bruksel, të cilët thonë se e kuptojnë edhe Kosovën kur thotë se duhet të aplikojë në mënyrë që të konkretizohet më shumë ajo që quhet “perspektivë evropiane”, sidomos duke pasur parasysh hendekun e madh që është krijuar në këtë “rrugëtim evropian” mes Kosovës dhe të gjithë të tjerëve në rajon.

Në një përgjigje të dërguar në emër të Komisionit Evropian, Ana Pisonero, zëdhënëse për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit, ka thënë se “Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-j vazhdon ta mbështesë Kosovën që të afrohet me BE-në, dukë nisur përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, e cila hyri në fuqi në vitin 2016. Rrugëtimi evropian i Kosovës varet, po ashtu, nga normalizimi i raporteve me Serbinë”.

Nga ana tjetër, vetëm Parlamenti Evropian në raporte Kosovën e trajton si shtet, duke përdorur flamurin he duke mos përdorur asteriskun dhe fusnotën në emrin e Kosovës dhe në Rezoluta të Parlamentit vazhdimisht kërkon nga pesë vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Por, rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë obliguese për vendet anëtare.

Në rastin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë shumë më vështirë të tejkalohet vetoja e shteteve që nuk e kanë njohur, pasi ato që quhen “Kriteret e Kopenhagës” përmendin emërtimin “shtet”.

“Secili shtet evropian, i cili respekton vlerat e përmendura në nenin 2 dhe është i përkushtuar për t’i promovuar ato, mund të aplikojë për anëtarësim në union”, thuhet në kapitullin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, që në rastin e zgjerimit janë të njohura si “Kriteret e Kopenhagës”.

Në rastin e Kosovës, diplomatët dyshojnë se nuk ka kushte formale për të marrë statusin e kandidatit pasi Kosova për BE-në nuk e përmbush kriterin të jetë “shtet”, për shkak se nuk është njohur si e tillë nga pesë vende anëtare. E vendimet në Këshill për statusin e kandidatit miratohen me unanimitet nga të gjitha shtetet.

Zakonisht kërkesa për anëtarësim nga ndonjë shtet që synon integrimin në BE i dorëzohet shtetit që ka kryesimin e radhës të BE-së.

Nëse Kosova do ta bëjë këtë gjatë vitit 2022, atëherë ose duhet t’ia dorëzojë Francës deri në fund të muajit qershor, ose Çekisë, e cila e merr kryesimin e radhës të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti.

Pastaj, ai shtet konsultohet me vendet tjera anëtare dhe nëse ka pajtim, Këshilli i jep Komisionit Evropian detyrën që të përgatisë mendimin nëse janë përmbushur kushtet për status kandidati dhe nisje të negociatave të anëtarësimit. Pas mendimit të Komisionit dhe dhënien e pëlqimit nga Parlamenti Evropian, Këshilli vendos në secilin hap në procesin e anëtarësimit.

Faza e negociatave, e cila përfshin hapjen apo mbylljen e kapitujve të caktuar, është fazë e raporteve “ndër-qeveritare”. Prandaj, edhe takimet ku hapen apo mbyllen negociatat, hapen apo mbyllen kapitujt apo blloqet e caktuara të kapitujve, quhen “konferenca ndër-qeveritare”.

Aktualisht, janë vetëm tri shtete kandidate, të cilat formalisht janë duke negociuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Turqia, Mali i Zi dhe Serbia. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë statusin e vendit kandidat, me vendimin për nisjen e negociatave me kusht që të miratohet korniza negociuese e BE-së, por nuk kanë nisur negociatat.

Bosnja e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim, por Komisioni Evropian nuk ka dhënë akoma mendimin pozitiv për përmbushjen e kushteve për dhënien e statusit të kandidatit këtij shteti.

Kosova është i vetmi vend për të cilin thuhet se ka “perspektivë evropiane” e që nuk ka aplikuar për anëtarësim. Islanda ka qenë i vetmi vend, i cili vetë, në mënyrë unilaterale, ka hequr dorë nga qëllimi për t’u bërë anëtar i BE-së dhe është tërhequr nga procesi i negociatave të anëtarësimit.

Kriteret kryesore për t’u bërë anëtar i BE-së për një vend kandidat janë të ndara në tri grupe: politike, ekonomike dhe administrativo – institucionale. Ato politike përfshijnë garantimin e stabilitetit të institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. Kriteret ekonomike kërkojnë që shteti të ketë ekonomi funksionale të tregut, të gatshme për t’u përballur me forcat konkurruese në treg. Kriteri administrativ institucional kërkon që shteti përkatës të ketë të vendosura të gjitha strukturat për të zbatuar ligjet e përbashkëta të BE-së dhe obligimet si anëtar i plotfuqishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore