Lajme

Kosova këtë javë aplikon për anëtarësim në BE, thotë Kurti


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat ta kthejmë zyrtarisht në kandidat për anëtarësim”, tha Kurti.

“Para një viti bëmë të ditur se aplikimin për anëtarësim do ta bëjmë këtë vit dhe sot në këtë mbledhje po ju njoftojmë se aplikimin në Bashkimin Evropian do ta dorëzojmë këtë javë”.

Sipas Kurtit, “Bashkimi Evropian është vend i paqes dhe vendi ynë natyrisht se e ka vendin në këtë shtëpi”.

Kurti prej kohësh kishte thënë se Kosova është vend potencial për vendin kandidat dhe i është premtuar perspektiva e anëtarësimit në Bashkim Evropian.

“Prandaj ne jemi të përkushtuar të zbatojmë pjesën tonë të detyrimeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për të avancuar në fazën tjetër të anëtarësimit”, kishte thënë ai në deklaratat e mëhershme”.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

“Ne do të aplikojmë këtë vit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Do të ishte shumë mirë që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në programin e partneritetit për paqe të NATO-s”.

Ai kishte treguar se janë në kontakt edhe me shtetet mosnjohëse të BE-së.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Shtetet mosnjohëse janë: Qiproja, Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

Ndryshe, deri më tani, Kosova ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Gjithashtu, Kosova, më 12 maj kishte dorëzuar edhe aplikimin për Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore