Lajme

Kosova ka hequr dorë nga gjobat – arrihet pajtim në Bruksel


Besnik Bislimi, Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç dhe Petar Petkoviç

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova është pajtuar që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, duke njoftuar arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

“Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, falënderoj të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, shtoi Borrell.

Takimi i sotshëm mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, përfundoi pas një maratone bisedash e takimesh.

Ky takim kishte filluar rreth orës 16:00 nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak përmes një cicërime në rrjetin social Twitter shpresoi shumë që do të gjendet një zgjidhje për de-përshkallëzim të tensioneve, derisa shtoi se shpreson të punohet drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Gjithashtu, kujtojmë se pas më shumë se dy orë në takim, Bislimi e Petkoviç shkuan në pauzë pak pas orës 17:00, për t’u konsultuar me autoritetet në Prishtinë dhe Beograd.

Ndryshe, siç u kuptua pas takimit të fundit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, BE-ja kishte ofruar një propozim i cili kërkonte nga Serbia që të mos lëshojë më targa ilegale, kurse nga Kosova të mos gjobisë shoferët që vozisin makina me targa ilegale.

Serbia e pranoi kushtin, derisa Kosova pranoi por me kërkesën që të diskutohet brenda këtij pajtimi – ashtu siç ishin rënë dakord edhe më herët – për precizimin e fund-muajit shkurt si afati kur duhet të arrihet një pajtim fillestar për marrëveshje përfundimtare.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore