Lajme

Kosova fiton betejën në Arbitrazh për Minierën e Goleshit


Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Kosova ka fituar betejën me kompaninë kroate “Iming” D.O.O në Gjykatën e Arbitrazhit për Minierën e Goleshit, këtë e ka bërë të ditur Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit fiton kontestin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas padisë së parashtruar, më datën 1 prill 2019, për kompensim dëmi dhe fitim të humbur në vlerë prej 18,121,690.17 milion Euro nga pala paditëse IMING d.o.o Strobec – Republika e Kroacisë”, thuhet në njoftimin e AKP në Facebook.

Kompania kroate e dërgoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Arbitrazh dhe kërkoi 19 milionë euro kompensim në vitin 2019.

Arbitrazhi për këtë rast ka qenë “adhoc” dhe është mbajtur në Prishtinë, me marrëveshjen e të dyja palëve. Kontesti gjyqësor është zhvilluar sipas rregullave të UNICITRAL-it të vitit 2010.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte paditur në cilësi të administratorit të ndërmarrjes shoqërore ‘’MIM Goleshi‘’ Miniera e Magnezit në Golesh të Lipjanit. Kontesti gjyqësor është zhvilluar sipas rregullave të UNICITRAL-it të vitit 2010”.

Përveç që nuk mori kompensimit, “Iming” D.O.O do detyrohet të paguajë 340 mijë euro tarifë ligjore për AKP-në.

“Veç mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, me këtë fitore janë ruajtur edhe fondet publike prej 18,121,690.17 milion Euro. Sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit pala paditëse, për më tepër, obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të Tribunalit t’ia paguaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit shumën prej 342,954.67 mije euro”, bëhet e ditur tutje nga AKP-ja.

Kompania “Iming” kërkonte kthimin e investimeve të bëra në kompaninë “Mim Goleshi” e cila ishte privatizuar në vitin 2006 nga e njëjta kompani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore