Lajme

Kosova e Izraeli zyrtarizojnë marrëdhëniet


Është nënshkruar zyrtarisht lidhja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit nëpërmjet një ceremonie virtuale.

Formalizimi i marrëdhënieve diplomatike në mes Kosovës dhe Izraelit është bërë nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Haradinaj-Stublla tha se “sot kemi shkruar faqen e artë për njerëzit tanë”, duke vazhduar më pas falendërimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“E dashur SHBA, jemi përjetësisht falënderues për përkrahjen bipartizane që kemi marrë nga ju. Krijimi i kësaj marrëdhënie diplomatike sot nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e juaj”.

Ministrja e Jashtme ka përmendur në shenjë falënderimi edhe ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ish-emisarin Special, Richard Grenell, Robert O’Breienin, Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

Gjithashtu, Haradiaj-Stublla falënderoi “përkrahjen e administratës së re të SHBA-së për marrëveshjen e Washingtonit”.

Ndërsa, Ashkenazi ka thënë që Izraeli është i interesuar për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

“Sot po bëjmë histori, sot po normalizojmë marrëdhëniet mes Izraelit dhe Kosovës, një moment që shumë e kanë pritur. Sot është mundësia jonë që të përmirësojmë marrëdhëniet tona me njerëzit e Kosovës”, tha Ashkenazi.

Pas kësaj, Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenaz, ka shpalosur Pllakatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Ashkenaz po ashtu uroi diplomaten kosovare Ines Demiri si ambasadoren e parë të Kosovës në Izrael.

Izraeli është shteti 117 që ka njohur pavarësinë e Kosovës

Njohja nga Izraeli vije si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjes së 4 shtatorit ne Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore