Lajme

Kosova do të përfaqësohet me një kuadër të ri në DASH


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier dhe diplomati i ri Anell Bajra.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën janë takuar me diplomatin e ri Anell Bajra.

Gërvalla dhe Hovenier e kanë uruar atë për pozitën si diplomat i ri dhe i cili do të shërbejë për një vit të plotë në Departamentin e Shtetit në Washington.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schëarz, së bashku me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Jeff Hovenier, kanë uruar diplomatin e ri z. Anell Bajra, i cili do të shërbej për një vit të plotë në Departamentin e Shtetit në Uashington, mundësi kjo në kuadër të marrëveshjes së përbashkët mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë për media.

Sipas MPJD-së, “në vendin e diplomacisë dhe demokracisë, Kosova do të përfaqësohet me një kuadër të ri dhe premtues i cili pa dyshim, nga kjo eksperiencë, do të sjellë përvojat më të mira në institucionet tona”.

Ndërsa, është theksuar edhe roli i rëndësishëm i SHBA-ve në raport me Kosovën.

“Kosova do të mbetet aleatja më e ngushtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një raport të fort dhe të pakontestueshëm. Thellimi i bashkëpunimit dhe marrëveshjet si kjo, fuqizojnë më tej partneritetin e ngushtë ndërmjet diplomatëve dhe diplomacisë”.

Të hënën e 19 dhjetorit, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Hovenier përgjatë takimit me ministren Gërvalla e diplomatin kosovar ka theksuar se lidhjet e forta mes shteteve mbështesin partneritetin e zyrave të marrëdhënieve të jashtme në këtë shkëmbim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore