Lajme

Kosova dhe Serbia ta zbatojnë shpejt dhe plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, thotë Stoltenberg


Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mirëpritur ujdinë e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për planin e zbatimit të Marrëveshjes, e cila u dakordësua më 27 shkurt në Bruksel.

Sipas tij Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve Kosovë-Serbi, duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht.

“Ne mbështesim fuqishëm dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Aleatët në NATO dhe Aleancë ofrojnë mbështetje politike. Ne ishim në kontakt të ngushtë me BE-në, por edhe me Prishtinën dhe Beogradin”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media.

Stoltenberg ndër të tjera ka nënvizuar faktin se NATO mbështet përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes misionit të saj në Kosovë, KFOR-it.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore