Lajme

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruajnë deklaratë për bashkë-zbarkime të forcave ushtarake


Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ministri i Forcave të Armatosura dhe Veteranëve në Mbretërinë e Bashkuar, James Heappey.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar deklarata të përbashkëta për bashkë-zbarkim të forcave të dy vendeve në misione ushtarake.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi është nënshkruar deklaratë e përbashkët ndërmjet ministrave për bashkë-zbarkimin e FSK-së me ushtrinë britanike në misionet ku angazhohet Mbretëria e Bashkuar me trupat e saj ushtarake”, ka shkruar ai.

Mehaj ka theksuar edhe rëndësinë e kësaj deklarate të përbashkët mes dy vendeve.

“Deklarata e përbashkët për bashkë-zbarkim është e arritur shumë e madhe e Republikës së Kosovës e cila rikonfirmon fuqishëm besueshmërinë e plotë të Mbretërisë së Bashkuar dhe Qeverisë së saj në Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe kapacitetet e forcave tona”.

Ai u shpreh se në takim ka ripërsëritur qëndrimet e Kosovës për situatën mes Ukrainës dhe Rusisë.

“Gjithashtu, gjatë takimit ritheksova qëndrimet tona kundër agresionit rus në Ukrainë, si dhe gatishmërinë tonë për t’i dalë në ndihmë popullit ukrainas dhe për t’i ofruar mbështetje misioneve të NATO-s”.

Ndryshe më 25 shtator, Mehaj kishte shprehur gatishmëri që FSK-ja të kontribuoj në formacion të përbashkët me vendet e Kartës së Adriatikut, SHBA-A5, në të mirën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore