Kosova

Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës në vlerë deri në 260 milionë euro


Ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se kanë arritur marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për program të ri mbështetës për Kosovën në vlerë deri në 260 milionë euro.

“Gjatë qëndrimit në takimet pranverore në Washington D.C. bashkë me Zv. Kryeministrin Besnik Bislimi, kemi arritur të përmbyllim me sukses diskutimet për një program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, shkroi Murati në Facebook.

Ndërsa, ai tha se programi i ri përfshin vënien në dispozicion “fillimisht të shumës prej 80 milionë euro në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”.

“Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në”, tha ai.

E, këto mjete nga ky program do t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore.

“Pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme”.

Ndërkaq, ministri i Financave nënvizoi se pikënisje për këtë arritje ka qenë suksesi “në konsolidimin e shpejtë të financave publike, dhe vendimmarrja e matur fiskale”.

“Kjo është edhe një dëshmi që reformat tona po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN”.

Po ashtu, ai e falënderoj të gjithë ekipin “që kanë punuar shumë në përgatitjen e këtij programi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore