Lajme

“Kosova aktualisht është pa tarifa”, deklaron Shala pas takimit me Bordin e ZRRE-së


Kryetari i Komisionit për Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, pas takimit me bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), deklaroi se situata me energjinë elektrike është shqetësuese.

Ai deklaroi se Kosova aktualisht është pa tarifa të energjisë dhe për këtë fajtor është ZRRE-ja.

“Vendi është pa tarifa dhe bordi duhet të gjejë alternativa për situatën në të cilën e kanë sjellë ata pas atij vendimi të paligjshëm”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), duhet të zbatoj vendimin e Gjykatës së Apelit sa i përket tarifimit të energjisë elektrike.

“Ju e dini që PDK ka pas një angazhim të madh me ardh deri të momenti ku do të pezullohen tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike. Këtë gjë e kemi arrit. Gjykata e Apelit ka marr vendin që është në favorin e kërkesës tonë”.

Ai ka kërkuar që ZRRE-ja të e përfill këtë vendim dhe të mos krijoj paqartësi tek ZRRE-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Ajo që është shqetësuese se lexojmë lajme se KESCO ka paqartësi nga ZRRE-ja për tarifat e energjisë elektrike të Kosovës pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Mendoj se këtu ZRRE-ja duhet ta ndal çfarëdo tendence që ka që të mos respektohet ky vendim. Ata kanë thënë vetë se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, por siç duket nuk ka dhënë qartësi te KESCO”.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, u shpreh se vendimi i Gjykatës së Apelit për ta rrëzuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritje të çmimit të energjisë, nuk është i saktë.

“Gjykata nuk ka marrë vendim që me kthy në pikën zero. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e PDK-së që të pezullohet vendimi deri sa të ketë aktgjykim të formës së prerë. Baza e kërkesës është e paligjshme”, ka thënë Muja.

Armend Muja.

Ai përpjekjet e opozitës i konsideron si të pamatura.

“Unë besoj që ka një përpjekje e opozitës që të ketë një koordinim të plotë e që të pamundësohet ose që Kosova të vendoset në një kolaps energjetik. Opozita duhet të ketë parasysh se këto përpjekje, unë besoj se janë të pamatura. Por megjithatë Kosova njihet për organizimin e mirë të krizës energjetike”, tha Muja.

Më 18 maj, Gjykata e Apelit në Kosovë, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin ishte pezulluar vendimi i muajit shkurt të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Bordi i ZRRE-së.

Apeli gjithashtu ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundërpropozueses ZRrE, e datës 26.04.2022, ndërsa Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i datës 08.04.2022, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses Partia Demokratike e Kosovës dhe kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së për tarifat e reja për energji elektrike.

Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja.

Paraprakisht, ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore