Shqipëria

Korrekt si një ‘orë zvicerane’?


“Aftësia për të menaxhuar kohën që kemi në dispozicion, aftësia për të zgjidhur probleme, të menduarit kritik rreth problemeve, të qenit kreativ, aftësia për t’u përshtatur shpejt me ndryshimet, njohuritë dhe dijet për punën në fjalë etj., lidhen ngushtë me korrektësinë”, shprehet fillimisht psikologia Lenida Halilaj për Albanian Post (AP).

Sipas saj, qasja e shqiptarëve ndaj punës është e ndryshme. Disa janë të lindur si “orë zvicerane”.

Korrektësia i shoqëron pothuajse në çdo moment. Për të tjerë, edhe pse përpiqen të tregohen korrektë, fati me sa duket nuk është në kahun e tyre.

Në kultura të ndryshme ekzistojnë disa perceptime rreth kohës kur jemi korrektë dhe kur jemi me vonesë.

Sipas studiuesve, në Japoni, për shembull nëse je edhe 1 minutë me vonesë, konsiderohet vonë.

Sa u përket perëndimorëve, gjermanët e vlerësojnë faktin nëse ju shkoni 10 minuta më herët në punë apo takim.

E ndërsa në vendet, si Maroku apo Arabia Saudite, edhe 30 minuta me vonesë konsiderohet “se je në kohë”.

Zvicra, vendi simbol i prodhimit të orëve, njihet edhe për korrektësinë.

Vështirë të thuhet nëse në fillim u krijuan orët dhe më pas njerëzit u mësuan me korrektësinë, apo e kundërta.

Megjithatë, Zvicra sipas anketimeve, mbetet vendi, ku gjithçka është në kohë.

Pavarësisht se mendojnë së kohën e kanë në favor, sërish vonohen. Kultura, vendi apo situatat sociale ndikojnë në këto dy qasje.

Sa korrektë janë shqiptarët dhe sa i respektojnë ata oraret?

Psikologia e lidh korrektesën në orar edhe me etikën e gjithsecilit në vendin e punës.

Sipas saj, “etika përgjithësisht përfshin një sërë rregullash standarde për t’u zbatuar nga të gjithë punonjësit”.

Gjysma e shqiptarëve në marrëdhënie pune, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e caktojnë vetë orarin e tyre.

Të dhënat më të fundit të publikuara tregojnë se, 48% e shqiptarëve të punësuar i zgjedhin vetë orët e tyre të punës, në krahasim me vendet e tjera të marra në analizë nga ILO.

Asnjë tjetër nuk ka një normë kaq të lartë.

Studimet tregojnë se normat për korrektësinë mund të ndikojnë në produktivitetin e punës.

Lenida thotë se, sipas saj “vonesa në punë nuk ndikon negativisht në produktivitet, për sa kohë punonjësi është i aftë ta menaxhojë punën siç duhet, në kohën e mbetur.

Përveç rasteve kur vonesa në punë e një punonjësi mund të dëmtojë procesin e punës për të gjithë organizatën, apo kur klientët nuk marrin shërbimin apo produktin e duhur në kohë”.

Shpjegimi psikologjik mbi njerëzit që vonohen gjithmonë

Në vijim, psikologia jep dhe një pasqyrim për ata që vonesën e “kanë bërë rrugë”.

“Individët që janë gjithmonë me vonesë perceptohen si të çrregullt, kaotikë, të pasjellshëm, dembelë e të pamotivuar”.

“Në fakt”, shpjegon Halilaj, “një pjesë prej tyre kanë problem me perceptimin e kohës, atë që e quajmë ‘ora e brendshme’, çka i bën të neglizhojnë faktin se mund të jenë vonë për punë apo një takim”.

Një aspekt tjetër, sipas psikologes, “është mungesa e ndëshkimit”. Kjo ndodh qoftë në mjedisin e punës, por edhe në marrëdhëniet shoqërore.

“Individët që janë vazhdimisht me vonesë fitojnë një formë imuniteti ndaj kritikave, sepse kane gjithmonë arsye për t’iu shmangur vonesës dhe dinë të jenë karizmatikë në situata të këtilla”, vë theksin ajo .

Vonesa në punë shpesh bëhet edhe motivi kryesor që një punonjës pushohet nga puna. Vonesa “keqpërdoret” nga punëdhënësi edhe kur arsyeja primare s’është ajo, por diçka më shumë.

“Departamenti i Burimeve Njerëzore fokusohet në elemente të tillë, si: vonesa, veshja, përdorimi i celularit, për të shmangur vëmendjen që duhet të tregojnë ndaj faktorëve të tjerë që ndikojnë te produktiviteti, si: motivimi në punë, paga, kushtet fizike të punës, dinamikat e grupit brenda organizatës, zhvillimi dhe trajnimi i punonjësve dhe arritja e objektivave të organizatës”, përmbyll Halilaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore