Biznes

Korporatat amerikane rrisin pagat e punonjësve përballë inflacionit


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bizneset po zgjerojnë rritjen e pagave teksa inflacioni i ka bërë punonjësit të luftojnë për të përputhur pagat e tyre me çmimet e konsumit.

Këtë vit, afro 92 për qind e bizneseve planifikojnë të rrisin pagën e punonjësve nga 85 për qind në vitin 2021.

Korporatat kanë konfirmuar se tendencat e rritjes kanë ardhur pasi inflacioni arriti në 7.9 për qind në shkurt, niveli më i lartë që nga viti 1982.

“Punëdhënësit e kuptojnë se është shumë e vështirë të punësosh dhe mbash punëtorë dhe ata po rrisin pagat për të anashkaluar këto mungesa të fuqisë punëtore”, ka thënë ekonomisti i lartë Daniel Zhao.

Sipas tij, “fakti është se punëtorët që janë të mërzitur për inflacionin kanë më shumë mundësi tani që të negociojnë paga më të larta”.

Kostot e strehimit, transportit dhe ushqimit kanë nisur të rriten pas pandemisë, duke i detyruar punëdhënësit të ofrojnë rritje pagash me bazë të gjerë dhe shpërblime për të mbajtur stafin.

Kështu, linjat ajrore nisën të njoftonin rritje për punonjësit pasi mungesat e stafit të shkaktuara nga vala e Omicron-it detyruan mijëra anulime fluturimesh gjatë sezonit festiv.

Shefi ekzekutiv i njërës prej tyre, Ed Bastian, ka treguar këtë muaj se kompania e tij  do të rrisë pagën bazë me katër për qind për shumicën e 75 mijë punonjësve të saj duke filluar nga maji.

“Kjo rritje e pagës bazë është rezultat i drejtpërdrejtë i përkushtimit, punës së palodhur dhe përsosmërisë që ju demonstroni çdo ditë”, u ka thënë atyre Bastian.

Ngjashëm kanë vepruar edhe linja të tjera ajrore.

Gjithashtu shitësit me pakicë po ofrojnë rritje të pagave me bazë të gjerë.

Mirëpo, rritja nuk po kufizohet vetëm te pagat e punonjësve të shërbimit.

“Gjërat që kanë rëndësi për punëtorët në vitin 2022 janë pagat konkurruese, fleksibiliteti dhe aftësia për të punuar për një kompani që pasqyron vlerat e tyre”, ka thënë Kirt Walker, shefi i një kompanie sigurimi.

Kurse shefi i një grupi jofitimprurës që gjurmon ndikimin e bizneseve në shoqëri, ka thënë se rritja e pagave ishte si rezultat i konkurrencës intensive që punonjësit dhe punëdhënësit të bëhen më të gatshëm për të investuar në fuqinë e tyre punëtore.

“Kompanitë që historikisht nuk i kanë parë punonjësit si krijues të vlerave reale, po i hedhin një vështrim të dytë punonjësve të tyre si një burim potencial vlere”, ka thënë Alison Omens.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore