Lajme

Koreja e Veriut teston 4 raketa për të treguar aftësinë për të kryer një sulm bërthamor


Koreja e Veriut ka testuar katër raketa strategjike të lundrimit gjatë një stërvitje të projektuar për të demonstruar aftësinë për të kryer një kundërsulm bërthamor kundër forcave armiqësore.

Kështu ka bërë me dije media shtetërore e vendit “KCNA”.

Kjo stërvitje ka përfshirë një njësi me sa duket operacionale raketore strategjike të ushtrisë popullore koreane, e cila ka lëshuar katër raketa Hwasal-2 në zonën e qytetit Kim Chaek, provincën Hamgyong të Veriut, drejt detit në brigjet lindore të gadishullit Korean.

Kurse njësitë e tjera kanë kryer stërvitje me fuqi zjarri në vende të ngurtësuara pa gjuajtje të drejtpërdrejtë.

Katër raketat strategjike të lundrimit goditën një objektiv të paracaktuar pasi udhëtuan në orbitat e fluturimit “2 mijë kilometra të gjatë eliptike dhe në formë tetë për 10 mijë e 208 sekonda deri në 10 mijë e 224 sekonda”.

Referuar “KCNA”-së, stërvitja demonstroi “qëndrimin luftarak të forcës luftarake bërthamore duke forcuar në çdo mënyrë aftësinë e kundërsulmit bërthamor vdekjeprurës kundër forcave armiqësore”.

Sakaq, raketat nuk u njoftuan nga Koreja e Jugut apo Japonia, të cilat shpesh zbulojnë dhe raportojnë publikisht lëshimet e Koresë së Veriut.

Zyrtarët e SHBA-ve dhe Koresë së Jugut morën pjesë në një stërvitje të simuluar, që u fokusua në mundësinë e përdorimit të një arme bërthamore nga Koreja e Veriut, ka bërë me dije Pentagoni.

Koreja e Veriut ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin dhe prodhimin masiv të raketave të reja, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ndalojnë aktivitetet raketore të vendit të armatosur me armë bërthamore.

Shumë lëshime, duke përfshirë një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM), janë raportuar nga media shtetërore si stërvitje të dizajnuara për të përmirësuar aftësitë e trupave që operojnë armët.

“Këto demonstrime mund të konsiderohen si ushtrime raketore në vend të testimit të zhvillimit”, ka thënë Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike me qendër në SHBA në një raport.

Koreja e Veriut mund të testojë ICBM në një trajektore më të ulët dhe më të gjatë dhe të kryejë testin e saj të shtatë bërthamor këtë vit për të përsosur aftësitë e armëve, kanë thënë ligjvënësit koreano-jugor.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore