Lajme

Koreja e Veriut regjistron rritje të rasteve të dyshuara me COVID-19


Koreja e Veriut ka raportuar një rritje të lehtë të rasteve të dyshuara me COVID-19.

Lajmi vjen mes raportimeve të mediave se kufizimet e lëvizjes të vendosura në kryeqytetin Phenian mund të jenë hequr.

Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) ka treguar se 100 mijë e 710 njerëz kanë shfaqur simptoma të etheve në 24 orët e fundit.

Është hera e parë që infektimet e dyshuara me COVID në vend u rritën mbi 100 mijë në tri ditë, duke e çuar numrin total të rasteve të raportuara që nga fundi i prillit në më shumë se 3.55 milionë.

Koreja e Veriut po përballet me një valë të paprecedentë që nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe vendosja e një bllokimi mbarëkombëtar.

Situata ka ngritur shqetësimet për mungesën e vaksinave, furnizimeve mjekësore dhe mungesës së ushqimit.

Vendi, që nga pranimi i një shpërthimi të Omicron më 12 maj, ka njoftuar çdo ditë vetëm numrin e pacientëve me simptoma të etheve, por jo ata me COVID-19.

Ndoshta për shkak të mungesës së testimit për të konfirmuar rastet e coronavirus-it në numër të madh.

Më 15 maj, numri ditor i atyre që kishin ethe arriti kulmin në më shumë se 392 mijë dhe që atëherë ka qenë në një prirje rënëse.

Agjencia japoneze e lajmeve “Kyodo” ka treguar se kufizimet e lëvizjes u hoqën të dielën në kryeqytet.

Por një zëdhënës i ministrisë së bashkimit të Koresë së Jugut, që merret me çështjet ndërkoreane, ka thënë se nuk mund ta konfirmonte raportimin.

Kjo, sepse media shtetërore e Koresë së Veriut nuk e kishte njoftuar vendimin.

Lajmet për lehtësimin e kufizimeve kanë dalë menjëherë, pasi udhëheqësi Kim Jong Un kryesoi një takim të Byrosë Politike për të diskutuar rishikimin e kufizimeve antiepidemike.

Ai ka vlerësuar se, situata mbi shpërthimin e parë të COVID-it në vend po “përmirësohej”.

“Byroja Politike shqyrtoi çështjen e koordinimit dhe zbatimit efektiv e të shpejtë të rregulloreve dhe udhëzimeve kundër epidemisë, duke pasur parasysh situatën aktuale të qëndrueshme antiepidemike”, ka vijuar ai.

Për shumë ekspertë të jashtëm, Koreja e Veriut po e nënvlerëson shkallën e vdekjeve për të parandaluar çdo dëmtim politik për Kim.

Sipas tyre, vendi duhet të kishte shumë më tepër vdekje, sepse 26 milionë njerëzit e tij janë kryesisht të pavaksinuar kundër COVID-it dhe i mungon kapaciteti për të trajtuar pacientët me kushte kritike.

Të tjerë dyshojnë se Koreja e Veriut mund t’i ketë ekzagjeruar rastet e mëparshme të etheve në përpjekje për të forcuar kontrollin e brendshëm të popullsisë.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore