Lajme

Koreja e Veriut pranon shpërthimin e COVID për herë të parë, shpall “urgjencë të rëndë kombëtare”


Kim Jong-un në një takim të Partisë së Punëtorëve të Koresë të organizuar për përgjigjen e qeverisë ndaj një shpërthimi të COVID-19. ©: KCNA/EPA

Koreja e Veriut ka shpallur një “urgjencë të rëndë kombëtare”, duke konfirmuar kështu për herë të parë shpërthimin e COVID-19, ndërsa lideri i saj, Kim Jong-un, është zotuar se do ta eliminojë shpejt virusin.

Media shtetërore raportoi të enjten se një nënvariant i virusit shumë të transmetueshëm Omicron, i njohur si BA.2, ishte zbuluar në kryeqytet, Pyongyang.

Sipas raportit, njerëzit në Pyongyang ishin infektuar me variantin Omicron, pa dhënë detaje mbi numrat e rasteve ose burimet e mundshme të infeksionit.

Sakaq, Koreja e Veriut kishte pretenduar se nuk kishte regjistruar asnjë rast të vetëm të COVID-19 që kur mbylli kufijtë e saj në fillimin e pandemisë më shumë se dy vjet më parë.

Zbulimi i variantit Omicron përbën një rrezik potencialisht serioz për Korenë e Veriut, ku nuk është vaksinuar asnjë nga 25 milionë njerëzit e saj, sipas ekspertëve.

Sistemi i saj i kujdesit shëndetësor me burime të dobëta do të luftonte gjithashtu për të përballuar një shpërthim të madh.

Vendi, deri më tani, ka shmangur vaksinat e ofruara nga programi i shpërndarjes Covax i mbështetur nga OKB-ja, pasi administrimi i vaksinave do të kërkonte monitorim ndërkombëtar.

NK News, me bazë në Seul, raportoi se zonat e Pyongyang-it kishin qenë në mbyllje për dy ditë.

“Burime të shumta kanë dëgjuar gjithashtu raporte për blerje paniku për shkak të pasigurisë se kur mund të përfundojë bllokimi”, tha ai, duke cituar burime në qytet.

Raporti i KCNA-së tha se mostrat e marra nga pacientët në Pyongyang, që kishin pasur ethe, ishin “në përputhje” me variantin Omicron.

Zbulimi e shtyu Kim të thërriste një takim krize të Byrosë Politike të Partisë së Punëtorëve, ku zyrtarët thanë se do të zbatonin masat “maksimale” të urgjencës.

Ato thuhet se përfshijnë kontrolle më të forta kufitare dhe masa bllokimi, me Kim duke u thënë qytetarëve “të bllokojnë plotësisht përhapjen e virusit keqdashës, duke izoluar tërësisht zonat e tyre në të gjitha qytetet dhe qarqet në të gjithë vendin”.

Të gjitha aktivitetet e biznesit dhe prodhimit do të organizohen në mënyrë që çdo njësi e punës të jetë e “izoluar” për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul, tha se pranimi publik i regjimit të rasteve të coronavirus-it nënkuptonte se “situata e shëndetit publik duhet të jetë serioze”.

Easley tha se prania e virusit mund të ndikojë në çdo plan që udhëheqja ka për teste raketore ose bërthamore.

Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj për pothuajse të gjithë tregtinë dhe vizitorët në fillim të pandemisë, duke shkaktuar më shumë dhimbje në një ekonomi tashmë të dëmtuar prej dekadash nga keqmenaxhimi dhe sanksioneve ndërkombëtare mbi armët e saj bërthamore apo programet e raketave balistike.

Ajo rihapi paraprakisht trafikun hekurudhor të mallrave me Kinën në janar, por autoritetet kineze ndaluan tregtinë muajin e kaluar pas një shpërthimi COVID-19 në Dandong, qytet afër kufirit me Korenë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore