Lajme

Koreja e Jugut – shifër rekord të rasteve ditore me COVID-19


Në Korenë e Jugut janë regjistruar 4 mijё e 116 raste ditore me COVID-19, një shifër e re rekord.

Vetëm në fillim të muajit nëntor, Koreja kaloi në planin e ashtuquajtur “të jetosh me COVID-19”.

Nëpërmjet tij synohet heqja e masave të ashpra dhe rihapja pas suksesit tё fushatёs sё vaksinimit muajin e kaluar.

Mirëpo, ditët e fundit situata ka dalë sërish jashtë kontrollit. Një plan emergjent duhet të ndërmerret sa më shpejt, në mënyrë që situata të mos dalë jashtë kontrollit.

Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Kim Boo-kyum përpara mediave.

“Duke parë situatën në Seul, nevojitet një plan emergjence”, tha ai.

Më tej, numri një i qeverisë u bëri thirrje autoriteteve shëndetësore për të klasifikuar pacientët në bazë të simptomave që shfaqin.

“Rastet më të lehta dhe ato asimptomatike mund të vetëtrajtohen në shtëpi”, ravijëzoi kryeministri.

Që nga mesnata e së martës së 23 nëntorit, spitalet në vend po trajtonin 586 pacientë të sëmurë rëndë.

Më shumë se 85% prej tyre ishin mbi 60 vjeç, sipas të dhënave të Agjencisë Koreane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (KDCA).

Të paktën 69% e shtretërve të ICU-së u mbushën në mbarë vendin, me 83% të tyre vetëm në kryeqytetin Seul dhe zonat fqinje.

Autoritetet shëndetësore kanë urdhëruar sigurimin e shtretërve shtesë.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së shkallës së shtrimeve, shkalla e vdekshmërisë në vend ka mbetur relativisht e ulët, në 0.79%.

Koreja e Jugut ishte një nga shtetet e para që regjistroi raste të reja të coronavirus-it, kur virusi u shfaq për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

Që atëherë ka pasur rreth 425 mijё e 65 infeksione dhe 3 mijё e 363 vdekje.

Vendi ka vaksinuar plotësisht 79.1% të 52 milionë njerëzve të tij, ndërsa 4.1% kanё marrё edhe një dozë përforcuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore