Pajisje

Kontrollet e eksportit godasin aksesin e Kinës për çipat e avancuar të Arm-së


Gjigandi kinez i teknologjisë, Alibaba, nuk mund të blejë disa nga modelet më të avancuara të çipave pasi Arm përcaktoi se SHBA-të dhe Britania e Madhe nuk do të miratonin licencat për të eksportuar teknologjinë në Kinë.

Dhe kjo është hera e parë e njohur që Arm, në pronësi të investitorit japonez të teknologjisë SoftBank, ka vendosur se nuk mund të eksportojë modelet e saj më të fundit në Kinë.

Ky rezultat vjen dy muaj pasi SHBA-të zbuluan kontrolle të ashpra të eksportit për të parandaluar Kinën nga marrja e çipave të avancuar ose sigurimi i teknologjisë dhe pajisjeve për të prodhuar gjysmëpërçues të nivelit të lartë brenda vendit.

Eksperti Paul Triolo ka thënë se kontrollet e eksportit të Departamentit amerikan të Tregtisë i përditësuan kufizimet në mënyra që ndikuan në llojin e teknologjisë që prodhon Arm.

“Kompanitë kryesore në zinxhirin e furnizimit të gjysmëpërçuesve, duke përfshirë lojtarët kryesorë si Arm duhet të përcaktojnë nëse aftësitë e ofruara në ofertat e tyre plotësojnë ose tejkalojnë kërkesat teknike në rregulloret e reja të tregtisë”, ka thënë Triolo.

Teksa Arm mund të aplikojë për licenca për të shitur teknologjinë, shanset për sukses janë shumë të ulëta duke pasur parasysh strategjinë e SHBA-ve për të mohuar teknologjinë e Kinës.

Kur masat u prezantuan në tetor, u theksua po ashtu se do të kishte një supozim për të mohuar licencat për eksportimin e teknologjisë në lidhje me çipat e avancuar në Kinë.

Arm, e cila e ka selinë në Mbretërinë e Bashkuar, por ka operacione të rëndësishme në SHBA, shihet si e pambrojtur ndaj përdorimit të kontrolleve të eksportit.

Ngjashëm si kompanitë e teknologjisë në mbarë botën, kompanitë kineze mbështeten shumë në modelet e Arm-së për të ndërtuar pajisje nga telefonat inteligjentë te serverët.

Pronësia intelektuale e Arm-së mbështet shumicën e çipave në mbarë botën dhe përdoret nga shumica e kompanive që zhvillojnë teknologji të avancuara.

Dhe tensionet SHBA-Kinë kanë detyruar tashmë disa kompani kineze të çipeve të shikojnë përdorimin e një alternative gjithnjë e më të sofistikuar me burim të hapur ndaj modeleve të Arm-së të quajtur Risc-V.

Arm shet arkitekturën e projektimit për procesorët dhe për njësitë brenda procesorit që marrin dhe përpunojnë informacionin.

Gjatë vitit të kaluar, ajo ka lëshuar disa modele të reja, duke përfshirë Neoverse N2 dhe Neoverse V1 dhe V2, këto të fundit janë bërthamat me performancën më të lartë deri më sot.

Por kompanitë kineze janë bllokuar nga blerja e Neoverse V2 dhe gjeneratës së tij të mëparshme, V1, për shkak të kontrolleve të eksportit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Kina u kundërpërgjigjet sanksioneve amerikane të çipave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore