Shqipëria

Kontributet e Nishanit do të lënë një trashëgimi të qëndrueshme, thotë Blinken


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken iu bashkua mesazhit ngushëllues të ambasadës amerikane në Tiranë për ndarjen nga jeta të ish-presidentit shqiptar Bujar Nishani.

“Kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe partneriteti ynë i qëndrueshëm do të lënë një trashëgimi të qëndrueshme”, shkruan fillimisht Blinken.

Kryediplomati amerikan ndau në përmbyllje dhimbjen me popullin shqiptar për ish-presidentin Nishani.

Trupi i ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, pritet të mbërrijë në atdhe të martën e 31 majit.

Stafi mjekësor dhe të afërmit e të ndjerit po merren me procedurat e posaçme që mundësojnë sjelljen e trupit të tij atdhe, ku pritet t’i bëhen edhe nderimet e fundit.

Ish-Presidenti Nishani ndërroi jetë të shtunën në Spitalin Universitar të Berlinit, Charite.

Ai do të përcillet për në banesën e fundit nëpërmjet një ceremonie zyrtare.

Këshilli i Ministrave pritet të marrë një vendim të posaçëm, për t’i bërë ish-kreut të shtetit nderimet e duhura.

Bujar Nishani ndërroi jetë teksa po kurohej në spitalin e Berlinit.

Shendeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar, çka shkaktoi vdekjen.

Pati një numër të madh mesazhesh ngushëllimi, jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga institucione të rajonit dhe ato ndërkombëtare.

Për ndarjen e tij nga jeta, u kushtua vëmendje e veçantë edhe nga mediat ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore