Lajme

Kontrata e Ibër-Lepencit e përplas Rizvanollin me Tahirin


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës në Kosovë, ka potencuar se asnjë shtet në Evropë nuk blenë energji me kontrata afatgjate, por me kontrata ditore.

“Më thoni, cili shtet në Evropë e ka arritur të evitojë krizën përmes kontratave afatgjata. Për më tepër në cilin vend është zbutur përmes kontratave afatgjata. Në Evropë kontratat afatgjata nuk përdoren më. Përdoren blerja e energjisë një ditë përpara për shkak të rritjes së konkurrencës”, ka thënë Rizvanolli.

Reagimi ndaj kësaj deklarate qe e menjëhershme nga Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili përmendi kontratën afatgjate që ka “Ibër-Lepenci”, ku po shet energji me 50 euro për megavat orë, e që është dhjetëfishtë më e ulët se çmimi në treg.

Ndërsa në replikën e saj ndaj deklaratës së Tahirit, Ministrja e Ekonomisë tregoi se kontrata e “Ibër Lepencit” ka klauzolë arbitrazhi dhe po shqyrtohen gjitha mundësitë për të dalë nga kontrata pa dëme.

Madje ajo tha se kjo kontratë është dërguar në hetuesi te krimet ekonomike.

“Kontrata kishte klauzolë arbitrazhi si shumë kontrata tjera që janë lidhur nga institucionet tona e ndërmarrjet publike që na kushtojnë me qindra e mijëra euro në muaj apo miliona. Kontrata s’ka mundur të ndërpritet. Pasi dëmet mund të ishin më të mëdha sesa përfitimet nga ndërprerja”, ka thënë Rizvanolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore