Lajme

Konstituohet Kuvendi – Konjufca kryeparlamentar: Unë s’do t’i ndajë deputetët në parti – të gjithë janë të popullit


Glauk Konjufca, kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është mbyllur me betimin e deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të rinj të Kuvendit.

Me propozimin e partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, kryetar i ri i Parlamentit është zgjedhur, Glauk Konjufca.

Konjufca ka marrë 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

Kjo është hera e dytë e Konjufcës që votohet kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ai në fjalën e tij të parë si kryetar i Kuvendit ka deklaruar se zotohet që “do ta kryejë detyrën time me nderë dhe përgjegjësi”.

Ka thënë se për të “nuk do të ketë deputetë të kësaj apo asaj partie, do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit, se kështu jemi”.

“Na prift e mbara dhe me këtë rast po e shpallë të mbyllur këtë seancë themeluese, kurse për seancën e zgjedhjes së qeverisë do të lajmëroheni me kohë”.

Veç Konjufcës si kryetar, janë zgjedhur edhe nënkryetarët e rinj të Kuvendit.

Me gjithsejtë 107 vota për, gjashtë kundër dhe asnjë  abstenim, si nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës janë zgjedhur deputetja, Saranda Bogujevci nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovë dhe deputeti,  Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore