Kosova

Konjufca udhëton në Hagë, do të takohet me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin


Glauk Konjufca, Kryetar i Parlamentit të Kosovës

Për të takuar ish-krerët e UÇK-së, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë të premte, udhëton për në Hagë.

Shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli ka konfirmuar lajmin përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook duke shtuar se Konjufca do të vizitoj Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 qershor udhëtojmë për t’i vizituar ish krerët e UÇK-së në Hagë”, shkroi ai.

Sipas Kërçelit, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi kanë pranuar që të takohen me Glauk Konjufcën.

Ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Kjo është vizita e parë e Konjufcës në Hagë por jo e para e institucioneve të vendit.

Më 29 mars të këtij viti, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena haxhiu, kishte udhëtuar për në Hagë.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi si dhe deputetin Erxhan Galushi, do të qëndrojnë në Hagë me qëllim të takimit me personat që po mbahen në paraburgim”, kishte deklaruar zëdhënësi i ministrisë Flamur Pireva.

Delegacioni nga Kosova takoi shumë nga të paraburgosurit që po mbahen atje përveç ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS-ja) ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.

Ata po akuzohen se si drejtues të UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore