Lajme

Konjufca takon Escobar’in: S’mund të formohet kurrfarë Asociacioni


Glauk Konjufca dhe Gabriel Escobar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në ditën e parë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve dhe njëherësh Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.

Konjufca në takim me Escobarin, ka diskutuar edhe për procesin e dialogut dhe Marrëveshjen e Ohrit, me theks të veçantë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar fillimisht Konjufca në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas Konjufcës në takim me top-diplomatin amerikan është diskutuar edhe çështja anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare.

“Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.

Ndryshe kryekuvendari do të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci, i cili do të mbahet më 28 deri më 30 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore