Shqipëria

Konjufca takohet me deputetët nga Shqipëria: Sfidat mund t’i përballojmë bashkërisht


Takimi mes Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim anëtarët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, të martën e 25 janarit.

Kjo është bërë e ditur nga faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës u tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë jo vetëm i domosdoshëm, por ka sjellë edhe rezultate historike për kombin.

“Ne të gjitha sfidat i kemi kaluar së bashku gjatë historisë dhe fakti që gjendemi këtu, i kemi dy shtetet tona, është edhe për arsye se kemi vepruar gjithnjë në të njëjtin drejtim sipas një strategjie të përbashkët”, tha Konjufca.

Ai është shprehur se vetëm përmes kësaj dotkrine do të mund t’i përballojmë edhe sfidat që janë aktualisht.

“Por edhe ato të cilat do të na dalin përpara në një të ardhme të afërt”, theksoi ai.

Takimi mes Kuvendit të Kosovës dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kryetari i Kuvendit para anëtarëve të Komisionit për Siguri Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, paraqiti disa sfida të cilat kërkojnë bashkëveprim dhe bashkërendim të hapave.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, krizat globale, siç është rasti me pandeminë e virusit Covid 19, siguria kibernetike dhe migrimi i të rinjve të të dyja vendeve, janë sfidat në të cilat duhet të punohet së bashku, në mënyrë që Kosovës dhe Shqipërisë të mos u rrezikohet siguria kombëtare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Gjithashtu, edhe kryetari i Komisionit për Siguri Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, Nasip Naço shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Ne jemi të gatshëm gjithnjë për një bashkëpunim të ndërsjellë, për të shkëmbyer mendime dhe informacione mes dy parlamenteve. Sigurisht që sfidat tona janë edhe më të mëdha dhe duke u takuar dhe shkëmbyer informacione besoj se do veprojmë njëlloj për t’i përballuar ato”, tha ndër të tjera Naço.

Në takim kanë folur edhe anëtarët tjerë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe të Komisionit për Siguri Kombëtare të Shqipërisë, të cilët u pajtuan që të thellohet bashkëpunimi në mes këtyre dy komisioneve.  ​

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore