Kosova

Konjufca takohet me anëtarët e Komisionit të Venecias – s’deklarohen për media


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në takim me Komisionin e Venecias.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten e 20 majit ka pritur në takim anëtarët e Komisionit të Venecias për Vetting.

Në fillim të takimit mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërsa nuk ka pasur deklarata rreth atyre që janë diskutuar gjatë këtij takimi.

Për Konjufcën, ky është takimi i dytë të cilin e ka realizuar, në ora 10:00 ai është takuar edhe me ambasadoren e Greqisë, Heleni Vakali.

Ndryshe, të enjten e 19 majit, delegacioni i Komisionit të Venecias i përbërë nga raportuesja Grainne McMorroë dhe përfaqësuesi i sekretariatit të KV-së, Schnutz Durr, janë pritur në takim nga Qeveria e Kosovës.

Këtë takim e kanë zhvilluar me qëllim që të diskutohet draft-Amendamentet Kushtetuese për çështjen e Vetingut dhe draft-opinioni i Komisionit të Venecias mbi këto amendamente si dhe koncept-dokumentin e Vetingut si tërësi, ka bërë të ditur ministria e Drejtësisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në takim me Komisionin e Venecias.

Në njoftim thuhet se raportuesja është njoftuar edhe për procesin e hartimit të ligjit.

“Gjithashtu raportuesja u njoftua edhe me procesin e hartimit të Ligjit për Vlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku Haxhiu premtoi se, sapo të jetë gati dhe i përkthyer, drafti i ligjit do të dërgohet para Komisionit për vlerësim”.

Haxhiu gjatë këtij takimi ka përmendur edhe nevojën për Vetting si një kërkesë shoqërore për Kosovën, ekzistimin e korrupsionit të përhapur në gjithë sistemin (të konstatuar edhe në draft opinion), ndryshimet ligjore të vazhdueshme por pa rezultate konkrete dhe mosfunksionimin e mekanizmave të brendshëm të llogaridhënies për gjyqtar dhe prokurorë.

Çka parasheh koncept-dokumenti për Vetting?

Ky proces synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Ilustrim.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se procedurës duhet të përfundojë brenda 75 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore