Lajme

Konjufca: Sassoli do të mbahet mend për politikë të balancuar


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se është tronditur nga lajmi për vdekjen e kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.

“Me tronditi lajmi për vdekjen e kryetarit të Parlamentit Evropian, z.David Sassoli. Presidenti Sassoli do të mbahet mend për politikë të balancuar e pragmatiste, për bashkëpunim dhe respektim të ndërsjellë ndërmjet popujve dhe vendeve”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Ai ka shprehur ngushëllime në emër të tij dhe Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka vlerësuar lart veprën dhe punën e tij në avancimin e demokracisë dhe paqes.

“Duke çmuar kujtimin për z.Sassoli, për veprën e punën e tij për avancimin e demokracisë dhe për paqen e stabilitetin global, shpreh ngushëllimet e mia dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës familjes, miqeve dhe bashkëpunëtorëve të tij për këtë humbje të madhe”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kryetarit të Parlamentit Evropian.

“Jemi të trishtuar të mësojmë se ka ndërruar jetë David Sassoli, presidenti i Parlamentit Evropian dhe miku i Kosovës”.

Po ashtu, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një cicërime në Twitter, ka thënë se është shumë e pikëlluar për vdekjen e Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Vdekja e Sassoli-t

Kryetari i Parlamentit Evropian, z.David Sassoli.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, në moshën 65-vjeçare, është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të 11 janarit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i tij për shtyp, teksa ka shpjeguar se ish-gazetari i qendrës së majtë në Itali, kishte qenë në gjendje të rënduar shëndetësore për më shumë se dy javë dhe kishte anuluar të gjitha angazhimet e tij politike.

Për shkak të komplikimeve me sistemin e tij imunitar, Sassoli ishte pranuar në një spital italian muajin e shkuar.

Roberto Cuillo, zëdhënësi i tij, tha se shuarja e presidentit kishte ndodhur gjatë gjumit, në spitalin onkologjik të Aviano-s.

Në shtator, Sassoli kishte pasur të tjera ndërlikime shëndetësore, kur u shtrua në një spital në Strasbourg për simptoma të rënda pneumonie.

Ai më pas, iu rikthye aktivitetit politik në nëntor.

Një votim për të zgjedhur pasardhësin e tij ishte planifikuar të enjten e 20 janarit, duke qenë se vetë ai e kishte shpjeguar më parë se nuk do të kërkonte rizgjedhjen. Tashmë, ky proces bëhet i detyruar për shkak të humbjes.

Mandatin e Presidentit të PE-së, ai e mori në qershor 2019, teksa ky rol, cilësohet si një ndër më të lartët në rangjet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore