Lajme

Konjufca në Sllovi të Lipjanit: Pa gjakun e tyre nuk do të vinte liria


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca duke bërë homazhe në Sllovi të Lipjanit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten e 15 prillit ka nderuar të rënët në fshatin Sllovi të Lipjanit.

Këtë e ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi në uebfaqen e tyre.

“Në vazhdën e vizitave e të nderimeve pranë memorialëve dhe varrezave të të rënëve nëpër vise të ndryshme të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vendosi lule pranë lapidarit të të rënëve të fshatit Sllovi të Komunës së Lipjanit”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, bëhet e ditur se ka bashkëbiseduar edhe me përfaqësues të këtij fshat.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca duke bërë homazhe në Sllovi të Lipjanit.

“Kryetari Konjufca, në bashkëbisedim me përfaqësuesin e këtij fshati dhe disa prej familjarëve të martirëve, ndër të tjera tha se në ditë si kjo, kujtojnë të gjithë ata që me gjakun e tyre siguruan lirinë e vendit”.

“Lavdi gjakut të derdhur, sepse pa gjakun e tyre nuk do të vinte as liria e as pavarësia. Ata ranë që fëmijët tanë të vazhdojnë të jetojnë në Kosovën tonë të lirë”, tha Konjufca.

Në fshatin Sllovi të Lipjani, më 15 dhe 16 prill të vitit 1999 janë vrarë dhe masakruar 45 civilë shqiptarë dhe u plagosën shumë të tjerë.

Më 16 maj të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.

Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore