Kosova

Konjufca: Kosova ka treguar progres në konsolidimin e demokracisë, dëshmuam pjekuri dhe kulturë të lartë politike


Glauk Konjufca në panelin me temën “Zgjedhje të lira dhe të drejta"

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në Samitin e dytë për Demokraci e organizuar nga Shtetet e Bashkuara, tha se Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe se të gjitha proceset elektorale viteve të fundit, janë organizuar duke përmbushur standardet më të larta demokratike.

Konjufca të mërkurën ishte pjesëmarrës në panelin me temën “Zgjedhje të lira dhe të drejta – Roli i Kongresit në promovimin e politikave të shëndosha zgjedhore dhe pjesëmarrjen e votuesve” ku diskutoi për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në organizimin e të gjitha cikleve zgjedhore deri më tani, dhe se si progresi i arritur në këtë fushë ka kontribuar në zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Theksova që Kosova ka treguar progres të jashtëzakonshëm në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë dhe se të gjitha proceset elektorale viteve të fundit, sipas raporteve vendore e ndërkombëtare, janë organizuar duke përmbushur standardet më të larta demokratike për zgjedhje të lira dhe të drejta duke dëshmuar kështu pjekuri dhe kulturë të lartë politike dhe qytetare”, shkroi Konjufca.

Në këtë drejtim, kreu i legjislaturës potencoi rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë proces duke theksuar faktin që pas një përpjekje disa vjeçare, tashmë grupet politike parlamentare janë në prag të përmbylljes së punës për reformën zgjedhore për të mundësuar adresimin e mangësive të shpërfaqura gjatë proceseve të kaluara zgjedhore dhe së shpejti ato ndryshime do të miratohen në Kuvend.

“Pavarësisht sfidave dhe punës që na pret, të arriturat e deritanishme dëshmojnë maturinë tonë politike dhe përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie dhe shteti demokratik të qëndrueshëm”, theksoi Konjufca, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara e ku përgjatë këtyre ditëve pati rastin të zhvilloj një sërë takimesh me kryetarë të parlamenteve, deputetë, zyrtarë të lartë dhe personalitete të shteteve të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore