Lajme

Konjufca kërkon ujdi mes pozitës dhe opozitës për themelimin e komisionit hetimor për energjinë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë komisioni hetimor parlamentar për krizën energjetike duhet të themelohet, por sipas tij, “për ta zgjidhur këtë problem, pushteti duhet të heqë dorë prej diktimit të formulimit të çështjes”.

Ai ka propozuar që opozita duhet ta rishqyrtojë mënyrën e propozimit, në mënyrë që ai grup parlamentar që dëshiron ta udhëheq këtë komision, të mos jetë i përfshirë në nënshkrime.

“Ky komision duhet të themelohet, por në procedurën e themelimit të tij e ka të brendashkruar edhe zgjedhjen e drejtuesit”, tha Konjufca.

Kreu i Kuvendit theksoi se zyra ligjore thotë se drejtues s’mund të jetë Driton Selmanaj, “dhe asnjëri prej këtyre që e kanë nënshkruar dhe që i përkasin grupeve parlamentare”.

“Njëri gabim është i mazhorancës dhe gabimi është ky: unë nuk pajtohem që mazhoranca ka të drejtë ta diktojë interpretimin e çështjes për të cilën parashtrohet hetimi. Mazhoranca ka të drejtë ta shprehë atë, apo edhe të mos e hetojë por jam fort i bindur që mazhoranca nuk ka të drejtë ta diktojë formulimin e çështjes, Jam i bindur që kjo nuk i jep të drejtë opozitës që ta themelojnë çështjen si të duan”, shtoi Konjufca.

Që nga ora 10:00 e mëngjesit të kësaj të enjte të 28 prillit në Kuvendin e Kosovës po debatohet për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të hetoj menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ishte iniciativa e Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës e cila më 22 shkurt kishte parashtruar kërkesën për themelimin e këtij komisioni në të cilin do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë.

Një ditë më parë, Vetëvendosje është pajtuar që të krijohet një komision i tillë i hetimeve, por ka kërkuar që procedurat hetimore të mos nisin vetëm me qeverinë Kurti, por nga viti 2006.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore