Kosova

Konjufca: Ka mundësi që kriminelë të masakrës së Çikatovës të jenë në Kosovë


‘Ende shumë kriminelë që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në Masakrën e Çikatovës janë të lirë, janë në Serbi, nuk e përjashtojë që ndonjëri prej tyre mund të jetë edhe në Kosovë”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pasi ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në masakrën e Çikatovës në Drenas.

“Masakra e Çikatovës së Vjetër është njëri prej akteve më barbare të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë çmimin shumë të madh që e kemi paguar si popull për lirinë e shtetit tonë, për lirinë e popullit tonë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, duhet të përpilohet padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se kjo është një prej masakrave më mizore dhe më të tmerrshme e luftës së fundit në Kosovë.

“Kushdo që ka dyshime rreth këtij qëllimi mjafton të vijë këtu dhe në Poklek ku nuk u kursyen as më të vjetrit, as fëmijët, e as shkrimtarët e fëmijëve në Poklek, për të treguar se qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik por edhe që ta zhdukte populli shqiptar nga faqja e dheut”, ka thënë Osmani.

Osmani tha se vetëm kur të sigurohet drejtësia për këto viktima, do të ketë edhe stabilitet afatgjatë në rajon.

Këtë të shtunë bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek dhe Çikatovë të Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore