Lajme

Konjufca homologut maqedonas: Ndajmë dhimbjen me ju


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar telegram homologut të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferit, përmes të cilit i ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Bullgari.

“Në këto momente tejet të rënda për popullin e Maqedonisë Veriore dhe për familjet që humbën më të dashurit e tyre në aksidentin e trafikut që ndodhi këtë mëngjes në Bullgari”, thuhet në telegramin e Konjufcës dërguar Xhaferit.

Ai është shprehur se “jemi pranë për të shprehur solidaritetin vëllazëror dhe për të ndarë dhimbjen me ju”.

Po ashtu, kryeparlamentari Konjufca ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjet e pasagjerëve që humbën jetën në këtë tragjedi tronditëse dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve”.

Telegrami nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dërguar homologut të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferit.

“Jemi pranë autoriteteve maqedonase, familjeve dhe popullit tuaj në këto çaste të rënda për të gjithë”, thuhet në telegramin e Konjufcës.

Edhe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmanit, për humbjen e jetëve të dhjetëra qytetarëve në aksidentin tragjik.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të mërkurën e 24 nëntorit e ka shpallur ditë zie pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur të paktën 46 persona.

Edhe qeveria e Maqedonisë, të martën ka shpallur tri ditë zie pas këtij aksidenti tragjik.

Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Mes viktimave ishin dhe 12 fëmijë.

Tragjedia me autobus në Bullgari lë të vdekur 46 persona

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore