Lajme

Konjufca: Bundestagu dhe institucionet gjermane qëndrojnë fuqishëm me Kosovën


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me homologun e tij gjerman Wolfgang Schauble, me të cilin ka diskutuar për dialogun me Serbinë dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Në takim u konfirmua se Bundestagu dhe institucionet gjermane qëndrojnë fuqishëm pranë dhe me popullin e Kosovës.

“Në këtë takim të përzemërt të dy homologët diskutuan rreth zhvillimeve historike e politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për sfidat që paraqiten në rrugëtimin e stabilizimit të rajonit, luftimin e pandemisë, rimëkëmbjen ekonomike dhe dialogun me Serbinë, si dhe finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave”, thuhet në komunikatën për media.

Kryekuvendari Konjufca falënderoi kreun e Bundestagut gjerman, Schauble, për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë dhe vazhdon të jap për Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në takim me homologun e tij gjerman Wolfgang Schauble

Gjatë takimit, Konjufca shoqërohej nga shefi i Stafit Ilir Kërçeli, ambasadori Beqë Cufaj dhe diplomatja Valëza Oruqi.

Konjufca po zhvillon një vizitë zyrtare në shtetin gjerman.

Ndërkaq, dy muaj më parë, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ishte takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, i cili pati deklaruar se Gjermania “do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore