Lajme

Konfiskohet skica e Picasso-s me vlerë 460 mijë dollarë në aeroportin e Ibizës


Në Ibiza, autoritetet kanë kapur një skicë të Picasso-s me vlerë më shumë se 460 mijë dollarë.

Një udhëtar nuk e deklaroi atë në doganat e aeroportit, sipas një deklarate të përbashkët të lëshuar nga Agjencia e Taksave dhe Garda Civile e Spanjës.

Pasagjeri i paidentifikuar, i cili mbërriti në ishullin spanjoll me një fluturim nga Zvicra, fillimisht u përpoq ta kalonte atë si një kopje me vlerë të vogël monetare.

Por një faturë e zbuluar në bagazhin e tij dukej se e identifikonte veprën si origjinale.

Kjo përpjekje e supozuar për kontrabandë ka ndodhur në fillim të korrikut.

Por zyrtarët publikuan detaje të incidentit vetëm të hënën e 18 korrikut pasi një analizë paraprake sugjeroi se skica e nënshkruar ishte një vepër e vërtetë e Picasso-s.

Referuar autoriteteve vendase, homologët e tyre zviceranë i kishin informuar për një pasagjer të linjës ajrore që “bartte një vepër arti në rrethana të konsideruara të dyshimta”.

Kur pasagjeri  u përpoq të kalonte nëpër korsinë e gjelbër në aeroportin e Ibizës, duke treguar se nuk kishte asgjë për të deklaruar në mbërritje, oficerët e doganës kontrolluan bagazhin e tij dhe zbuluan skicën.

Ai, në fillim, pretendoi se skica ishte vetëm një kopje duke iu treguar një faturë dore.

Por gjatë një kërkimi të thelluar, ata zbuluan një faturë të dytë, të lëshuar nga një galeri arti në Cyrih, që listonte shitjen e veprës së vitit 1966 të quajtur “Trois personnages” për 450 mijë franga zvicerane.

Një inspektim fillestar nga drejtori i një muzeu lokal, Muzeu i Artit Bashkëkohor Eivissa në Ibiza, zbuloi se vepra artistike është origjinale dhe me një vlerë tregu “në përputhje” me shumën e deklaruar në faturën e galerisë.

Picasso, i lindur në Spanjë në vitin 1881, mendohet të ketë përfunduar 13 mijë e 500 piktura dhe rreth 100 mijë printime dhe gravura gjatë jetës së tij.

Ai ishte tejet produktiv dhe vizatimet e tij shiteshin shpesh në ankand për dhjetëra e qindra mijëra dollarë.

Në vitin 2017, vizatimi i tij me bojë i vitit 1940, “Le Viol”, arriti pothuajse 8.7 milionë dollarë në Sotheby’s në New York.

Sakaq, ekspertët e artit do të ndërmarrin analiza të mëtejshme të “Trois personnages” si pjesë e një hetimi në vazhdim.

Mallrat e sjella në Spanjë nga jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë Zvicrën, i nënshtrohen detyrimeve dhe TVSH-së.

Duke qenë se vlera e skicës mendohet të kalojë 150 mijë euro, incidenti po trajtohet si një tentativë kontrabande.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore