Lajme

Konfirmohet në SHBA rasti i parë me variantin e ri të Covid-19


Departameti i Shëndetit në Shtetet e Bashkuara të  Amerikës (SHBA) ka konfirmuar rastin e parë të variantit të ri të coronavirus-it me origjinë Braziliane, në Minesota.

Rasti u identifikua në një banor të zonës, i cili kishte udhëtuar kohët e fundit në Brazil.

Ishte vetëm çështje kohe para se të zbulohej varianti në Shtetet e Bashkuara, tha Dr. Anthony S. Fauci, këshilltari Covid i Presidentit Biden. “Me udhëtimet në botë që kemi dhe shkallën e efikasitetit të transmetueshmërisë, nuk është për t’u habitur”, tha ai.

Varianti ri , i njohur si B.1.1.28.1 ose P.1, ndan shumë mutacione me një të identifikuar së pari në Afrikën e Jugut. Vaksinat Moderna dhe Pfizer të mbrojnë nga varianti që qarkullon në Afrikën e Jugut, kanë thënë kompanitë, por janë pak më pak efektive.

Vaksinat priten të performojnë në mënyrë të ngjashme edhe kundër variantit të identifikuar në Brazil.

Varianti i identifikuar në Britani është më i transmetueshëm, por po aq i ndjeshëm ndaj vaksinave sa forma origjinale e virusit. Variantet në Brazil dhe Afrikën e Jugut kanë mutacione shtesë, që mund të ndihmojnë në mosfunksionimin e vaksinave.

” Shqetësimi që kam midis variantit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Afrikës së Jugut / Brazilit është shumë i ndryshëm”, tha Dr. Fauci.

Varianti i identifikuar në Britani është konfirmuar në 22 shtete dhe varianti i gjetur në Afrikën e Jugut ende nuk është konfirmuar në Shtetet e Bashkuara.

Varianti P.1 gjithashtu mendohet të jetë më ngjitës, por është e paqartë nëse shkakton sëmundje më të rëndë. Departamenti i Shëndetësisë i Minesotës e identifikoi atë përmes programit të tij të mbikëqyrjes, i cili mbledh 50 mostra të rastësishme nga laboratorët në shtet, çdo javë. Shteti i Minesotës ka një nga rastet më të ulta ditore në krahasim me popullsinë e saj, në vend.

Personi me rastin e konfirmuar është një banor i Minneapolis- it tha zëdhënësi i departamentit. Pacienti u sëmur gjatë javës së parë të janarit dhe mostra u mblodh më 9 janar, tha ai.

Hetuesit nga departamenti i shëndetësisë kishin folur me personin pasi testi ishte pozitiv për Covid-19. Kishte rezultuar që personi kishte udhëtuar në Brazil para se të sëmurej. Atij iu tha që të izolohej dhe të karantinohej bashkë me anëtarët e familjes.

Zyrtarët shëndetësorë po kryejnë intervista shtesë me personin për të mësuar më shumë rreth sëmundjes, udhëtimeve dhe kontakteve të ngushta.

Shtetet e Bashkuara po rrezikohen, kanë paralajmëruar shkencëtarët.

“Ndërsa vendi lundron në përhapjen e varianteve të reja, nuk ka një sistem në shkallë të gjerë, për kontrollin e gjenomeve të virusit për mutacione të reja. Në vend të kësaj, puna për të zbuluar variantet ka rënë mbi laboratorët akademikë, shtetërorë dhe komercialë.”

Shkencëtarët thonë se një program kombëtar i mbikëqyrjes do të ishte në gjendje të përcaktojë se sa i përhapur është varianti i ri dhe të kontrollojë pikat të nxehta.

Rastet e përditshme të coronavirus-it në SHBA dhe numri i pacientëve të shtruar në spital kanë rënë ditët e fundit, por futja e varianteve në vend e kërcënon këtë progres. Mesatarja javore e rasteve të reja ditore në SHBA ishte 33% më pak të dielën sesa nga dy javë më parë.

Zyrtarët e Kalifornisë, të hënën, njoftuan se do hiqnin kufizimet ekstreme të coronavirus-it në pjesë të mëdha të shtetit. Do të lejojnë pjesën e jashtme të restaurantëve dhe kujdesin personal të rifillonin shërbimet e kufizuara.

Sekretari i shtypit i presidentit Biden, tha të hënën, se ai do të zgjasë ndalimin e administratës Trump për udhëtime nga shtetasit e huaj nga Brazili në SHBA. Kufizime të ngjashme ka edhe për Britaninë dhe 27 vendet e tjera të Evropës, ku janë identifikuar variante të tjera. Ai gjithashtu shtoi Afrikën e Jugut në listë.

Shqetësimi për përhapjen e varianteve çoi në diskutime në Evropë për kufizimin e udhëtimeve jo-thelbësore. Duke propozuar kufizimet e reja, Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian, shkroi në Twitter se variantet e reja “na kishin çuar në marrjen e vendimeve të vështira por të nevojshme”.

Në Britani, kryeministri Boris Johnson, pritej të shpallte një shtrirje në kohë dhe shtrëngim të rregullave të bllokimit në Angli.

Ekspertët tregojnë Britaninë si një model për atë që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë për të monitoruar variantet./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore