Sport

Konfirmohet: Gjyqtarët nga Kosova do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen e Conference League


Një lajm i mirë këtë javë erdhi nga UEFA, pasi për herë të parë një katërsheje të gjyqtarëve kosovarë në krye me Genc Nuzën i është besuar drejtimi i një ndeshjes së Europa Conference League.

Nuza me ndihmësit Fatlum Berishën, Bujar Selimaj dhe Visar Kastratin, do të ndajnë drejtësinë në ndeshjen mes skuadrës qipriote, Omonia FC dhe asaj kazake, Kairat Almaty, që do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 21:00.

Kësisoj, Nuza bëhet gjyqtari i parë kosovar që do ta drejtojë një ndeshje të këtij niveli në fazën e grupeve në garat e UEFA-s.

Delegimi i gjyqtarëve kosovarë në Conference League, dëshmon punën e mirë që është bërë në futbollin kosovar edhe në aspektin e ndarjes së drejtësisë.

E për këtë arritje Nuza e ka falënderuar presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.

“Sot më kujtohen ditët e para si gjyqtar futbolli, atëherë kur presidenti Ademi më ka dhënë kurajo e mbështetje të pa rezervë në këtë profesion, prandaj jam krenar që sot në kohën kur unë po bëj hapa të mëdhenj në garat evropiane ai është duke i prirë me shumë sukses FFK-së”, tha Genc Nuza.

“Kjo pa dyshim është një arritje e përbashkët e jona, pas një punë të jashtëzakonshme ndër vite”.

“Falënderoj edhe kryetarin e Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasanin, që po ashtu na përkrah në vazhdimësi drejt arritjeve të mëdha, e po ashtu edhe të gjithë ligjëruesit e UEFA-s e FIFA-s, që nëpërmjet seminareve të ndryshme na ndihmuan të arrijmë këtu”, shtoi Nuza.

“Premtoj se të gjithë do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë për ta çuar në nivele sa më të larta futbollin kosovarë”, ka thënë Nuza.

Të rikujtojmë se ka qenë presidenti Ademi që ka insistuar vazhdimisht në instancat e UEFA-s e FIFA-s për avancimin e këtyre gjyqtarëve, falë edhe performancës së tyre të mirë në ndeshjet e deritashme në garat vendore dhe ato ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore