Lajme

Konfirmohet aktakuza ndaj Skender Hysenit, për mosraportim të pasurisë


Skender Hyseni

Është konfirmuar aktakuzë për mosraportim të pasurisë ndaj ish-Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skender Hysenit.

Në vendim është thënë se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Hyseni, avokatit Fatlum Podvorica refuzohet si e pabazuar, ka raportuar ‘Betimi për Drejtësi’.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, e akuzon Hysenin se në formularin për deklarimin e pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë prej 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Por, për këtë akuza, Hyseni ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale.

Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvodrica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore